Berat, 9 shtator, NOA/ Milena Selimi - Galeria “Edward Lear” në qytetin e Beratit ka hapur sezonin e vjeshtës me ekspozitën e piktores kosovare, Miradije Ramiqi, e cila do të qëndrojë e hapur atje gjatw datave 8-26 shtator 2010.
Artistja e cila njihet në rrethet artistike, jo vetëm si piktore, por edhe poete është tashmë një krijuese e afirmuar.
Jo rrallë, kur ndodhemi në hapësira të tilla artistike, të rrethuara me vepra arti, pashmangshëm na imponohet pyetja e përbotshme: Ç’është arti dhe pse e krijojmë dhe e konsumojmë atë?
Me krijimtarinë e saj artistike që ndërthur fjalën, ngjyrën dhe muzikën, Miradije Ramiqi duket se tenton të japë përgjigje për këtë pyetje të përbotshme.
Mëse dy dekada, ajo merret aktivisht me krijimtari letrare e artistike dhe, pos pjesëmarrjes në ekspozita të shumta të arteve figurative, kolektive e individuale, ka botuar edhe këto vepra poetike: “Drithërimë ngjyrash” (1981), “Shi në pasqyrë” (1990) dhe “Pëshpërimë mbretërie” (2000), “Jo rrallë, kur ndodhemi në hapësira të tilla artistike, të rrethuara me vepra arti, pashmangshëm na imponohet pyetja e përbotshme; c’është arti dhe pse e krijojmë dhe e konsumojmë atë?”
Gani Bytyqi, piktor-poet e kritik arti shprehet se “mund të themi se Miradije Ramiqi me veprën e saj shenjtëron dhembjen për lirinë dhe dashurinë, dhembje të cilën artistja arrin ta kthejë në normë artistike, duke i përplotësuar, fisnikëruar e idealizuar lirinë dhe dashurinë jo vetëm si nocione ndjenjore, por edhe si përmbajtje artistike. Në këtë luftë të pandërprerë, Ramiqi herë zbret në lashtësinë ilire, për tu kthyer me gjarperin e shtëpisë nën sqetull, që atë ta vejë në mbrojtje të truallit, të vatrës, gjithandej në mbrojtje të së ligës (cikli; Arketipe Ilire): herë i kthehet dramës së fundit të etnisë së saj, për t’i dhënë gjithë përmasat e tragjikes e dhembjes që ajo barti me vete (cikli; Rrugëtimi fatal)”.…
Në pikturën e saj, ajo arrin të bashkojë në mënyrë të përkryer dy pasionet e saj artistike : pikturën dhe poezinë. Derisa në të parën (pikturën) ajo bën poetizimine artit të pikturës, në të dytën (poezinë), artistja derdhë tërë koloritin dhe shkëlqimin e magjisë së ngjyrave te penelit të saj.
Dhe kështu, në këtë gërshetim poetiko-piktural, ku ngjyrat dhe vargu poetik i japin frymëmarrjen artistike njëra tjetrës, ku figurativja dhe abstrakja e përplotësojnë njëra tjetrën në mënyrë të shkëlqyeshme, e gjejmë individualitetin artistik të Miradije Ramiqit. Me këtë qasje artistike, Ramiqi arrin që në tablotë e saj të ruajë karakterin figuraiv edhe pse shumë herë mbi pamjet e paraqitura ajo hedh tisin misterioz të abstraktes, në një mënyrë aq të lehtë, sikur atë ta bënte me një përkdhelje puple.
Bytyqi shton se “Qarku motivor i pasur, i dendur dhe i larmishëm, harmonia e ngjyrave e shkelqyeshme, forca krijuese artistike stabile, e ekuilibruar dhe e pa shtershme, përkushtimi këmbëngulës dhe pasionant ndaj artit, janë vetëm disa nga komponentët që e ndërtojnë formatin artistik të piktorës-poete Miradije Ramiqi, e cila me veprën e saj të çmuar artistike është në shërbim të edukimit dhe emancipimit shpirtëror të shoqërisë sonë”.
Artistja lindi më 11.9.1953, në Pozheran të Vitisë, ku kreu filloren, kurse normalen në Ferizaj e Gjilan më 1972. Nga viti 1974-1978 kryen studimet e larta në Akademinë e Arteve (dega e pikturës), në klasë të prof. Rexhep Ferri dhe të prof. Muslim Mulliqi në Prishtinë.
Në vitin 1979 kryen specializimin 3- mujor në Francë-Paris, në artet figurative, financuar nga; Bashkësia Krahinore për Punë Shkencore e Kosovës, dhe ishte realizuese e suksesshme e projektit. Në vitet 1995-1997 kryen studimet pasuniversitare te prof. Muslim Mulliqi, në Prishtinë dhe mbron Temën e Magjistrarurës me titull "Arti në udhëtim rreth rikuptimësisë së tij".
Piktore, poete, Miradije Ramiqi mban titullin profesore dhe jep leksione në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
m.s/n.e/NOA