English

Basha-Manganelli: Bashkëpunimi policor, suksesi kundër kriminalitetit

Tiranë, 9 shtator, NOA - Bashkëpunimi policor në të gjitha nivelet mes Shqipërisë dhe Italisë ka sjellë rezultate të shkëlqyera në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimit transkufitar.

Këtë qëndrim shprehën Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë, Antonio Manganelli gjatë takimit që dy autoritetet zhvillua në mjediset e Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

Ministri Basha i përmendi drejtorit të policisë italiane një sërë operacionesh të përbashkëta të realizuara me sukses, ku më të fundit kanë qenë operacionet “Sun rise” dhe “Ura”.

Në këtë kontekst, ministri theksoi se bashkëpunimi me policinë italiane dhe me të gjitha policitë e vendeve partnere është në qendër të suksesit të qeverisë shqiptare dhe Policisë së Shtetit në luftë kundër kriminalitetit.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme për qeverinë shqiptare se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Asgjë nuk ka shërbyer më shumë sesa kjo luftë për të transformuar vendin, imazhin e tij, për të përparësuar procesin e integrimit e në veçanti lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë që pritet të realizohet së shpejti”, u shpreh ministry Basha.

Ai kërkoi nga drejtori i Policisë italiane Antonio Manganelli, që të rritet niveli i shkëmbimit të informacionit dhe përvojës mes Policisë së Shtetit dhe policisë italiane posaçërisht për zbatimin e ligjit “Antimafia”, për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, si dhe të krijohen grupe të përbashkëta pune për të luftuar grupet e krimit të organizuar, që veprojnë në të dy vendet.

Zoti Basha shprehu gatishmërinë për nënshkrimin sa më shpejt të një marrëveshjeje të përbashkët për mbrojtjen e dëshmitarëve.

mit/NOA
KOMENTE