Tiranë, 9 shtator, NOA – Bashkëpunimi mes policisë italiane dhe asaj shqiptare në operacionet e suksesshme kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme ishte në qendër të takimit të kryeministrit Sali Berisha dhe drejtorit të Policisë italiane Antonio Manganelli.
Kryeministri Berisha falënderoi zotin Manganelli për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria italiane, policia italiane dhe agjencitë e tjera i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në fushën e rendit publik, forcimit të ligjit dhe në luftën kundër kriminalitetit.
Shefi i qeverisë, theksoi në këtë takim se Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë progres të madh, duke bërë të mundur shkatërrimin e grupeve dhe organizatave të mëdha kriminale, të cilat bënin ligjin në disa zona në Shqipëri.
Sipas tij, policia shqiptare, duke investiguar bashkërisht me policinë italiane dhe falë ndihmës teknike të marrë prej saj, ka bërë të mundur të çojnë drejt suksesit një numër të madh operacionesh.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, të cilin e vlerësoi si një moment historik, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e Italisë, e cila ka qenë avokatja e sukseseve të Shqipërisë në këtë proces.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë, Antonio Manganelli, pasi u shpreh se kjo vizitë konfirmon miqësinë, jo vetëm midis dy vendeve, por edhe midis forcave të policisë së të dy vendeve.
Manganelli shprehu vlerësimin e tij për zhvillimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, të cilin nuk e ka hasur në vendet e tjera, si dhe për profesionalizmin, shpirtin e bashkëpunimit dhe kompetencën, që ka fituar në këto vite policia shqiptare.
Zoti Manganelli theksoi sakaq se po punohet bashkërisht, me skuadra të përbashkëta, në luftën kundër kriminalitetit, kapjes së të kërkuarve, por dhe në kuadër të ligjit të ri të miratuar nga qeveria shqiptare mbi konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
Sipas zotit Manganelli, konfiskimi i aseteve kriminale është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe ky do të jetë një tjetër sektor suksesi mes dy policive.
Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh se konfiskimi i aseteve kriminale është vitale, por po aq e rëndësishme është edhe lufta kundër pastrimit të parave, për të cilën kryeministri siguroi se po punohet me vendosmëri, por një luftë e përbashkët ndaj këtij fenomeni është shumë e rëndësishme për t’i hequr çdo mundësi gupeve kriminale për pastrimin e parave.
Edhe Moratoriumi për skafet, gjati vend në takimin mes kryeministrit Berisha dhe shefit të policisë italiane, Manganelli, për të cilin shefi i qeverisë shqiptare, tha se ky ligj do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe se kjo industri e mafias meriton të bllokohet.
Në takim, bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të firmosur marrëveshje të tjera, si në mbrojtjen e dëshmitarëve edhe në fushën e shkëmbimit të informacionit në kufijtë midis dy vendeve, për të bërë të mundur një luftë akoma më efiçente kundër kriminalitetit.
mit/NOA