Vjenë, 9 Shtator, NOA – Këshilli i Përhershëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) në Vjenë, do të njihet sot me raportin mbi Shqipërinë, i cili do t’i prezantohet këtij organizmi nga ambasadori i pranisë së tij në vendin tonë, Robert Bosch.
Në prag të largimit nga Shqipëria, për shkak të përfundimit të mandatit, Bosch paraqet kështu raportimin e tij të fundit mbi situatën aktuale politike.
Raporti bëhet me dije paraprakisht, se përmban faktin që kriza politike ende vazhdon të karakterizojë jetën politike në Shqipëri dhe se megjithë përpjekjet për negociata mes palëve, ato ende nuk kanë mundur t’i japin fund gjendjes së rënduar.
Duke e cilësuar si të tensionuar ende klimën politike në Shqipëri, Bosch paraqitet imendimit se palët duhet të ulen dhe të dialogojnë për të gjetur sa më parë zgjidhjen e ngërçit politik të më shumë se një viti.
Ndërkaq, raporti i hartuar nga prania e OSBE-së në vendin tonë, paraqet të dhëna të detajuara edhe mbi gjendjen e sistemit gjyqësor, atij policor, si edhe fazës në të cilën ndodhen institucioonet shqiptare, lidhur me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Më tej, në raport përshkruhet me hollësi asistenca e mëtejshme e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në të gjitha fushat që vendi ka nevojë të avancojë për të plotësuar kushtet e integrimit në përputhje me udhëzimet e shteteve pjesëmarrëse dhe Sekretariatit të organizatës.
n.e/NOA