English

Djegia e Kuranit, pastori Jones: Mund të tërhiqem po të ndërhyjnë autoritetet

Florida, 9 shtator, NOA – Dy ditë para 11 shtatorit dhe pikërisht në ditën kur besimtarët muslimanë në mbarë botën festojnë Fiter Bajramin, ditët e shenjta të sakrificës, pastori i kishës së vogël në shtetin e Floridas në Kaliforni, Terry Jones ka deklaruar se “Mund të tërhiqem nga akti i djegies së Kuranit, nëse autoritetet e kërkojnë”.

“Nëse autoritetet do të ndërhyjnë nuk do e djeg Kuranin”, tha sot për mediat amerikane pastori Jones.

Pastori Terry Jones reagoi kështu pas kritikave të presidentit Obama dhe sekretares amerikane, Klinton, të cilët e konsideruan aktin si jo amerikan.

Vetë presidenti amerikan, Barack Obama i kërkoi sot pastorit të heqë dorë nga planet për djegien e Kuranit, të cilën pastori amerikan e ka paralajmëruar ta realizojë pikërisht të shtunën, në përvjetorin e nëntë të shpërthimit të kullave binjake, më 11 shtator të 2001-it, një ditë që përkon edhe me ditët e shenjta të Bajramit.

“Djegia e Kuranit është tërësisht kundër vlerave tona si amerikanë”, kishte deklaruar për mediat amerikane shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Edhe Kisha anglikane dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ish kryeministri Toni Bler, dënuan sot aktin për djegien e Kuranit.

"Të gjithë jemi kundër këtij provokimi dhe insistoj në faktin se në traditat tona nuk ka vend për veprime të dhunshme", deklaroi arqipeshkvi nga Kanterberi, Rouan Uiliams, në mesazhin tradicional të tij me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit.

"Kërcënimet me dhunë ndaj librave të shenjtë janë për keqardhje të thellë dhe duhet të dënohen fuqishëm", tha arqipeshkvi.

Ndërsa qeveria britanike e dënoi planin për djegien e Kuranit në 11 shtator, duke kundërshtuar fuqishëm çdo përpjekje për fyerjen e ndonjë anëtari të bashkësisë fetare apo grupit etnik.

Ish kryeministri britanik, Toni Bler, u ka bërë thirrje njerëzve që t'a "lexojnë Kuranin, e jo ta djegin.

Edhe selia e shenjtë e Vatikanit i ka dënuar më herët planet e pastorit të kishës së vogël në Florida.

Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Judoiono, i kishte kërkuar presidentit Obama të ndërhynte personalisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që lëndon dhe fyen rëndë besimtarët islamë në të gjithë botën e qytetëruar muslimane.

Pastori Terry Jones ka paralajmëruar se djegia e qindra kopjeve të Kuranit më 11 shtator, në përvjetorin e sulmeve terroriste kundër SHBA-ve, synon të ngulitë në vëmendjen e botës, se islami është një fe e dhunshme.

mit/NOA
KOMENTE