Tiranë, 9 shtator, NOA – Fiter Bajramin apo Bajramin e madh, festën e madhe të muslimanëve pas plot një muaji agjërim, ua uroi sot gjithë besimtarëve shqiptarë edhe kreyetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
I shoqëruar nga deputetët Blendi Klosi, Eduard Shalsi, si edhe nga anëtarja e kryesisë Lindita Nikolla, shefi i opozitës vizitoi në mesditë selinë e Komunitetit Musliman në kryeqytet, dhe i përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë të bekuar, kryetarit të komunitetit musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça.
Pas vizitës kreu i opozitës dhe kryebashkiaku Edi Rama i uroi besimtarët muslimanë për më shumë mbarësi. “Gëzuar dhe mbarësi për të gjithë në këtë ditë të bekuar dhe në këtë vend ku një vlerë e paçmuar e bashkëjetesës është pikërisht harmonia dhe solidariteti, që frymëzon toleranca fetare”, u shpreh kryetari i opozitës.
Zoti Rama në urimin e tij dhënë për mediat, uroi çdo të mirë dhe mbarësi, në radhë të parë për të gjithë ata, që janë në vështirësi si dhe për të gjithë ata që përjetojnë dhimbjet e varfërisë, të papunësisë, të pamundësive.
Në këtë ditë të bekuar shefi i Partisë Socialiste theksoi bindjen e tij se çdo vështirësi me të cilat njerëzit hasen në jetë, kapërcehet me kurajo, me solidaritet, me vullnet të mirë dhe më ndihmën e Zotit.
mit/NOA