English

Fiter Bajrami, Topi: Të gjitha institucionet të mundësojnë predikimin e fesë brenda tyre

Tiranë, 9 shtator, NOA – “Është një ditë e veçantë, një ditë e madhe për shqiptarët, për të gjithë besimtarët myslimanë, një festë që unë besoj se e festojnë të gjithë pavarësisht nga përkatësia fetare. Ky është respekti tradicional, që kanë patur gjithmonë në shekuj shqiptarët për njëri-tjetrin. Besoj që e jap këtë prononcim jo vetëm në një ditë të madhe, por edhe në kohë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët”.

Kështu është shprehur Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i cili në shoqërinë e Zonjës së Parë, Teuta Topi vizitoi sot Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë pas muajit të madhënueshëm të Ramazanit, për festën e Fiter Bajramit.

Në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare, Presidenti dhe Zonja e Parë u pritën nga Kryetari i këtij Komuniteti, Haxhi Ing. Selim Muça, ndërsa në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ata u mikpritën nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Reshat Bardhi.

Pas bisedave me krerët myslimanë, Presidenti uroi përmes mediave të gjithë besimtarët shqiptarë, nga Shqipëria në Kosovë, Maqedoni e diasporë që ta gëzojnë këtë festë të sakrificës dhe begatisë së shpirtit.

“Shqipëria çdo ditë e më shumë i afrohet Evropës dhe po afrohemi me shumë elementë të progresit, por standardi më i arrirë i shqiptarëve, me të cilin ne jemi krenuar dhe vazhdojmë të krenohemi është standardi i harmonisë fetare, e parnuar edhe edhe nga komuniteti evropian”, theksoi në mesazhin e tij, kreu i shtetit.

Sipas Presidentit, ky standard është realizuar nga komunikimet e njerëzve të thjeshtë, të feve të ndryshme, të institucioneve fetare.

“Dita e sotme është një ditë që i gëzon të gjithë, në radhë të parë gëzon ata që kanë një raport të veçantë besimi me Zotin, besimtarët, të cilët dëshiroj t’i përshëndes për sakrificën e bërë gjatë muajit të agjërimit, të gjithë ata që e praktikojnë fenë myslimane, por edhe të gjithë qytetarët e thjeshtë, që kanë respekt për këtë ditë”, tha presidenti Topi.

Në këtë kontekst, kreu i shtetit u shpreh se të gjitha institucionet pa përjashtim duhet të bëjnë të mundur që feja të predikohet nëpër institucione, pasi sipas presidentit feja është kulturë, sa individuale, aq edhe kulturë institucionale.

“Unë nuk do të dëshiroja, që vitet që vijnë të na bëjnë të shikojmë besimtarë, të cilët falen trotuareve apo rrugëve, sepse kur shkojmë në Evropë, shkojmë me shumë elemente. Shkojmë sikurse e thashë me besimin individual, me besimin institucional, por edhe me etikën e predikimit të besimit”, vijoi mesazhin e tij për besimtarët Presidenti i Republikës.

Në ditën e Bajramit të Madh, shefi i shtetit bëri thirrje që të gjithë të kontribuojnë që edhe Komuniteti Mysliman në Tiranë, në metropolin shqiptar që rritet e po merr përmasa të mëdha, të ketë xhaminë e tij, institucionin që të ushtrojë, të predikojë, të falet, ta ketë këtë raport me institucionin brenda institucionit.

mit/NOA
KOMENTE