Berlin, 9 shtator, NOA- Vendimin e Serbisë për të ndryshuar rezolutën për Kosovën të propozuar për diskutim sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pas takimit me kryediplomaten evropiane, Kethrin Ashton, e përshëndeti sot edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervele.
Ministri gjerman është shprehur se “Ky është një sinjal i qartë se Serbia e shikon të ardhmen në BE”, ndërsa shtoi më tej se “hapi i ndërmarrë nga presidenti serb, Boris Tadiç ishte i rëndësishëm dhe “një sukses i politikës së jashtme evropiane”.
Ministri i Jashtëm gjerman i ka bërë thirrje palëve të nisin bisedimet me shpejtësi dhe të arrijnë rezultate konkrete për popullsinë.
Më herët edhe Franca ka uruar Serbinë për marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian, për ndryshimin e projekt-rezolutës për Kosovën.
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner tha se “Kjo marrëveshje hap rrugën e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një dialog të cilin Franca e ka dëshiruar gjithnjë”.
Sipas Kushner, ky dialog është i nevojshëm për nxitjen e bashkëpunimit, për përparimin e dy vendeve kah Evropës dhe në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve kosovarë e serbë, por edhe të të gjithë rajonit të Ballkanit.
mit/NOA