English

Krasniqi: Me rezolutën e re, kanë fituar të gjithë

Prishtinë, 9 shtator, NOA – Me rezolutën e re të gjithë kanë fituar: Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova. Këtu nuk ka humbës, të gjithë janë fitues.

Kështu e ka komentuar kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi, ndryshimin e rezolutës serbe për Kosovën pas ndërhyrjes së komisioneres së Jashtme evropiane, Katerinë Ashton.

Sipas tij, “më në fund u gjet gjuhë e përbashkët mes BE-së dhe Serbisë, e cila tërhoqi rezolutën e vet, për t’u zëvendësuar me rezolutën e arritur në bashkëpunim me BE-në, që mbështetet edhe nga SHBA-të- thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Serbisë për Rezolutë të re për Kosovën.

“Na vjen mirë që shtetet e Bashkimit Evropian ishin unike për tërheqjen e rezolutës së Serbisë për Kosovën, të paraqitur në OKB për miratim”, tha Krasniqi, i cili në vijim vuri në dukje se rezoluta afirmon opinionin e GJND-së dhe thërret BE-në që ta udhëheqë dialogun në mes dy vendeve të pavarura për stabilitet në rajon.

Duke folur për angazhimet që e presin shtetin e Kosovës në të ardhmen, kryekuvendari theksoi se duhet të vazhdohet puna në forcimin e shtetit të Kosovës, me një vëmendje të shtuar ndaj pozitës së komuniteteve, përkatësisht në inkuadrimin e tyre sa më të denjë në të gjitha poret e jetës institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE