Tiranë, 9 shtator, NOA – Pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, homologu i tij italian, Antonio Manganelli shprehu për mediat atë që pak kohë më parë kishte kërkuar edhe ministri i Brendshëm italian gjatë vizitës në Tiranë, Roberto Maroni, që kryeqyteti shqiptar të jetë qendra e bashkëpunimit policor mes Italisë dhe Ballkanit.
“Mafia luftohet vetëm duke i sekuestruar pronat dhe paratë”, deklaroi Manganelli.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, theksoi ndërkaq se “Jemi këtu për të konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe duam që Tirana të jetë qendra e bashkëpunimit policor italian për Ballkanin”.
Sipas zotit Manganelli tashmë po bashkëpunohet për investigimet e hetuesve shqiptarë në Itali, dhe të homologëve italianë në Shqipëri, ku sipas tij, janë duke bashkëpunuar dhe duke ndërlidhur veprimet hetimore për sekuestrimin e aseteve të personave me precedentë kriminalë.
“Italia ka punuar shumë në këtë drejtim dhe ka sekuestruar brenda këtij viti një shifer prej nëntë miliardë eurosh”, pohoi Manganelli duke thënë se kjo gjë po bëhet me qëllimin për të bërë të pasurit të varfër dhe të varfërit të pasur.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj evidentoi në fjalën e tij se dy policitë po bashkëpunojnë ngushtë për të luftuar krimin e organizuar, që shtrihet në të dyja vendet fqinje.
Sipas Burgaj bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe tashmë po hidhen hapa të reja në luftën kundër trafiqeve të paligjshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Antonio Manganelli u takua më herët me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe me kryeministrin Sali Berisha.
mit/NOA