Tiranë, 9 Shtator, NOA – Pas një muaji agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë sot në mbarë vendin ditën e Fiter Bajramit, e cila përkon fundin e muajit të Ramazanit.
Që në orën 7.00 të mëngjesit, ata u mblodhën nëpër xhami dhe falën namazin e festës, duke hapur ditën e re të Bajramit, ku presin dhe përcjellin miq e të afërm në shtëpitë e tyre, të cilët i urojnë për më shumë mirësi, dashuri dhe begati dhe pastrohet zemra nga zilia, urrejtja etj.
Gjatë muajit të Ramazanit, duhet të mundohesh të bësh sa më shumë vepra të mira, ndërsa dhe në ditën e Bajramit të jesh me gëzim dhe frikë se a të janë pranuar veprat apo jo, duke shpresuar se po.
Pasi të kalojë Fiter Bajrami, myslimanët që kanë dëshirë, mund t’i plotësojnë ditët e humbura gjatë Ramazanit, nëse i kanë borxh, ose duhet të agjërojnë 6 ditët e muajit Sheual, se kush i agjëron këto ditë së bashku me Ramazanin ka shpërblimin sikur ta kishte agjëruar tërë vitin.
Ndërkaq, në Tiranë këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, besimtarët myslimanë e kryen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi për shkak të punimeve në sheshin “Skënderbej” sheshi para xhamisë së Et’hem Beut ka qenë i zënë.
Gjatë paradites, Komuniteti Mysliman ka parashikuar një pritje për autoritetet më të larta të vendit, të cilët si traditë çdo vit, do të përcjellin urimet e tyre më të mira me rastin e Fiter Bajramit.
Kjo ditë është koha kur më së miri shfaqet kujdesi ndaj të varfërve dhe ndihma ndaj tyre, që të gezohen edhe ata. Ndërkohë që myslimanët pohojnë se Bajrami të urohet me këto fjalë: “Allahu e pranoftë agjërimin tonë, siç është transmetuar nga myslimanët e parë”. n.e/NOA