English

Nis në Prishtinë “Nine Eleven Festival”

Prishtinë, 9 shtator, NOA/ Milena Selimi - Në edicionin e tij të shtatë “Nine eleven”, Festivali i Filmit të Shkurtër Shqiptar që do të mbahet në Prishtinë në datat 9-11 shtator ka nisur me një fotografi bardh-e zi të aktorit shqiptar Bekim Fehmiu, në të cilën organizatorët kanë menduar të jetë “sfondi” i konferencës për shtyp.

Shtatëmbëdhjetë filma të shkurtër janë në konkurrencë.

Nëntë prej tyre janë premierë, si filmi “Maratona” e regjisorit Robert Bacaj, Muri” me regji të Gazmend Nelës, “Turpi” i regjisorit Burim Baftiu, “Piromani” i Ilirjan Himajt, “Krejt jashtë” i Blerta Zeqirit, etj.

Në kuadër të festivalit, i cili është themeluar me qëllim të solidarizimit me viktimat e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë prodhuar shtatë filma, të cilët po ashtu do të jenë në garë për çmime.

“Do të ketë komedi dramë, melodramë gjatë këtyre katër netëve të festivalit”- është shprehur për shtypin drejtori i festivalit të filmit të shkurtër artistik “Nine Eleven”, Blerim Gjoci. Regjisori shqiptar Mark Lucaj është mysafir nderi dhe kryetar i jurisë së festivalit.

“Secili festival ka qenë një aventurë në vete për të krijuar dhe për të arritur t’i mbledhë gjithë këta krijues të filmit”, ka thënë Gjocaj, teksa ka zbërthyer imazhin e ri të festivalit, i cili u themelua në dedikim të viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit 2001, në ShBA.

Regjisori Mark Lucaj me këtë rast ka shprehur kënaqësinë që është bërë pjesë e “Nine Eleven.

“Është hera ime e parë që vij në Kosovë. Do të doja të bëja një film për Kosovën dhe për këtë jam duke gjurmuar më tepër vendin dhe po shikoj se si është jeta këtu. Do të shohim se çka sjell e ardhmja”, ka thënë Lucaj. “Është vështirë të bësh filma nëse e kemi parasysh vendin ku jetoni, por ajo që më së shumti u duhet filmbërësve është një rrëfim i mirë”, ka shtuar ai.

"Nine Eleven" do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Prishtinës deri më 11 shtator, kur edhe do të ndahen çmimet e festivalit.

Përveç çmimeve tradicionale që ndan ky festival, si: interpretimi më i mirë, kamera më e mirë, montazhi më i mirë, regjia më e mirë, skenari më i mirë dhe filmi më i mirë, listës së çmimeve sivjet i është shtuar edhe çmimi për muzikën më të mirë origjinale të filmit. I ftuar i edicionit të sivjetmë të "Nine Eleven" do të jetë aktori shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhim Biberaj.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE