Larisa, 10 Shtator 2010 NOA – Një i ri shqiptar ishte shndërruar katër muajt e fundit në tmerrin e vajzave, kryesisht studente, në Larisa të Greqisë dhe kapja e tij sot është konsideruar nga vendasit si shans për të marrë frymë lirisht.
Plot katër muaj, nga qershori e deri dje, studentet që jetojnë e studiojnë në qytetin e Larisas, po përballeshin me një sërë historish që dëgjonin për plaçkitje dhe sulme seksuale që ndodhnin me protagonist një djalë të panjohur dhe viktima, vetëm vajza të universitetit.
Sot, policia e Larisas ka konfirmuar arrestimin e 23 vjeçarit shqiptar, emri i të cilit nuk u bë i ditur. Ai akuzohet si përgjegjës për të paktën 12 plaçkitje dhe përdhunime.
Vetë viktimat e ngjarjeve kanë identifikuar autorin pasi ai u shoqërua në policinë e Larisas, në një valë kontrollesh në këtë qytet që çoi për verifikim dhe ballafaqim me viktimat për mëse katër muaj, disa qindra të rinj, kryesisht emigrantë.
Më në fund, sot tmerri ka marrë fund për vajzat studente në Larisa, raporton vetë policia e qytetit, sikundër informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Njëra prej tyre tregon se ishte ndoshta e para që kishte denoncuar në qershor të këtij viti, sulmin që i ishte bërë në orët e mbrëmjes teksa kthehej në banesën ku jetonte.
Sipas denoncimit të 19 vjeçares por edhe të shumë vajzave të tjera në harkun kohor qershor – shtator 2010, skema që përdorej nga djaloshi ishte gati e njëjtë.
Natën rreth mesnatës, në rrugët pranë universitetit, kur lëvizja e njerëzve sa vinte e rrallohej, gjithmonë do të dilte ndonjë vajzë që i kishte ardhur ora për gjumë.
Pikërisht këtë shfrytëzonte maniaku plaçkitës dhe përdhunues.
Duke përfituar nga errësira, i mbërthente me duar dhe i grabiste, duke mos hezituar në disa raste dhe të abuzonte seksualisht duke kryer akt përdhunimi.
Policia mori në total 12 denoncime për të tilla ngjarje dhe sado që gjatë kësaj periudhe u përpoq të mbajë situatën nën kontroll duke patrulluar zonën përreth universitetit, vetëm sot arriti të shtjerë në dorë autorin e ngjarjeve duke i hedhur prangat.
Ditën e nesërme, 23 vjeçari do të dalë në gjykatë për vlerësim mase sigurie. Nga të dhënat e policisë bëhet e ditur se ai ka refuzuar të jetë autor i ngjarjeve, por ishin disa vajza që e identifikuan atë mes disa personave të rreshtuar në procedurën që përdor policia.
n.s/e.r/NOA