Nju Jork, 9 Shtator, NOA – Pavarësia e Kosovës do të “ulet këmbëkryq” sot në Asamblenë e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtarët e së cilës do ta marrin në shqyrtim pas një kërkese të drejtuar nga Serbia.
Kjo e fundit paraqitet në seancën e punimeve të sotme të OKB-së me një rezolutë të ndryshuar në momentin e fundit, e cila nuk përmban disa nga elementët e asaj që ishte bërë publike deri tani.
E kjo u arrit falë konsultimeve të kryera mes Beogradit zyrtar dhe Bashkimit Evropian,
Ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, për orë dhe ditë të tëra ka negociuar me presidentin serb, Boris Tadiç, sesi mund të bëhej më mirë kjo rezolutë.
Pa pretenduar se do të mund ta bindte Serbinë të tërhiqej nga prezantimi i këtij dokumenti kundërshtues për pavarësinë e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian kishte marrë përsipër misionin, për të paktën, zbutur tonet e tij dhe realizimin e ndonjë ndryshimi të mundshëm.
Dhe duket se kjo gjë është arritur, duke eliminuar disa terma kundërshtuese ndaj pavarësisë dhe duke lënë të hapur çështjen e negociatave mes palëve.
Nga ana e tij, delegacioni kosovar i përbërë nga presidenti Fatmir Sejdiu, ministri i Jashtëm Skëner Hyseni si edhe kryeministri Hashim Thaçi, gjendet prej ditësh në Nju Jork, ku është duke lobuar për të siguruar një mbështetje sa më të madhe për kosovën në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
n.e/NOA