English

Pas mosmarrëveshjeve të shumta, Asambleja e OKB miratoi rezolutën serbe për Kosovën

Rezoluta e Serbisë u miratua pas harmonizimit të tekstit me përfaqësuesit e BE. Rezoluta i hap rrugët një dialogu të ri mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe këtu u panë mospajtime të mëdha mes palëve

Nju Jork, 10 Shtator 2010, NOA- Deutsche Welle/ Bahri Cani - Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së kombeve të Bashkuara filloi me gati tre orë vonesë, për shkak të kundërshtimit prej Serbisë të prezencës së delegacionit kosovar në këtë seancë. Serbia kërkonte që përfaqësuesit e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, të largohen nga pjesa e sallës për vëzhguesit dhe të kalojë në pjesën ku ulen mysafirët.

Pala kosovare refuzoi këtë, ndërsa pas konsultimeve të shumta, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme shpjegoi se përfaqësuesit e Kosovës janë mysafirë të delegacioneve të Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Francës.

Jeremiç vijon avazin: Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën

Qëndrimin serb shpjegoi ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç, sipas të cilit, rezoluta e harmonizuar me të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, është neutrale ndaj statusit të Kosovës.

"Republika e Serbisë nuk e njeh dhe nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës", përsëriti Jeremiç, duke shtuar se rezoluta e mirëpret angazhimin e BE-së për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal dhe arritjen e një zgjidhje gjithëpërfshirëse, me të cilën respektohen parimet e Kombeve të Bashkuara.

Para votimit, për fjalë u paraqitën vetëm tri delegacione: Azerbajxhani, Venezuela dhe Argjentina, të cilat kundërshtuan pavarësinë e Kosovës. Ndërsa pas miratimit me aklamacion shumë delegacione shpjeguan qëndrimet e tyre.

Mbështetësit e pavarësisë

Ambasadorja amerikane theksoi se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje të qartë se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare."

SHBA-ja është e mendimit se ka ardhur koha që të shikohet përpara dhe të ndërtohen marrëdhënie të reja, që hapin perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetës në Kosovë dhe anëtarësimit të rajonit në BE.

Ambasadorja amerikane tha se vendi i saj do të mbështetë procesin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe ambasadori i Turqisë, i cili mbështeti pavarësinë e Kosovës, integrimin e saj në nismat rajonale dhe dialogun për çështjen konkrete.

Përfaqësuesi i Shqipërisë përshëndeti vendimin e Serbisë që të tërheqë "propozimin e mëparshëm destruktiv", me të cilin kundërshtohej pavarësia e Kosovës. Tirana zyrtare theksoi se Kosova është një rast unik që nuk mund të përdoret prej vendeve tjera. "Pavarësia e Kosovës është realitet i njohur nga shumë shtete. Ndërsa opinioni i GJND-së duhet të ndihmojë njohjen e Kosovës edhe prej shumë shteteve tjera", theksoi ai.

Kundërshtarët kërkojnë respektimin e rezolutës 1244

Për Brazilin rezoluta është vetëm një "ombrellë për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, për gjetjen e një zgjidhje në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së". Përfaqësuesi i Rusisë theksoi se qëndrimi i Moskës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.

"Rusia është e mendimit se rezoluta 1244 duhet të mbetet në fuqi dhe paraqet bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo zgjidhje mund të konfirmohet vetëm prej KS të OKB-së", theksoi ai. Përcaktimin për dialog mbështeti edhe Kina, si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve.

"Respektimi i integritetit territorial është çështje themelore e të drejtës ndërkombëtare. Sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohen nga të gjitha palët", theksoi përfaqësuesi i Kinës.

Rezoluta u miratua njëzëri pasi Serbia hoqi dorë nga propozimi i saj fillestar për negociata të reja për statusin e Kosovës dhe nga "dënimi i secesionin e njëanshëm".

Me rezolutën e miratuar tani kërkohet dialog për përmirësimin e kushteve të jetesës në Kosovë dhe përshëndetet angazhimi i BE-së për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal.

Rezoluta shkaktoi reagime të shumta në Serbi

Tërheqja e propozimit fillestar të Serbisë dhe harmonizimi i rezolutës me BE-në ka shkaktuar reagime të shumta në Serbi. Partia Demokratike në pushtet e presidentit Boris Tadiq e quajti rezolutën "fitore të madhe të Serbisë".

Ajo kritikon opozitën se po i kthehet retorikës së viteve 90-të, kur pohonte se Kosovën duhet mbrojtur me luftë, pa marrë parasysh çmimin që duhet paguar. Partia Serbe Përparimtare e Tomisllav Nikoliqit, forca më e madhe opozitare, është e mendimit se qeveria serbe ka përjetuar një "disfatë të thellë".

Ajo kërkon përgjegjësi e atyre që "kanë shpenzuar miliona për një politikë të dështuar dhe të gabuar ndaj Kosovës".

Ndërsa Partia Demokratike Serbe i ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica kumtoi se "me pranimin e ultimatumit të Brukselit" qeveria serbe e ka dëshmuar rolin e saj të shërbëtores.

Më në fund radikalët janë të mendimit se me këtë rezolutë Serbia ka pranuar "në mënyrë të turpshme dhe kapitulluese" kërkesat e BE-së dhe faktikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas radikalëve, për Serbinë është "tragjike që çështja e Kosovës tani zhvendoset nga OKB-ja tek BE-ja".

KOMENTE