English

Policia: Lajmi për pengmarrjen e fëmijës i pavërtetë

Tiranë, 9 shtator, NOA – Policia e kryeqytetit deklaroi se të gjitha njoftimet për marrjen peng të një fëmije shtatëvjeçar në fshatin Prush pranë Tiranës janë krejtësisht të pavërteta.

Policia pas verifikimeve të bëra në vendngjarje konkludoi se shtatëvjeçari me iniciale, F.Gj. kishte dalë me rastin e festës së Fiter Bajramit, për të mbledhur karamele nëpër shtëpitë e fshatit, bashkë me dy moshatarët e tij te shtëpia e këtyre të fundit në fshatin Prush.

Sipas policisë fëmija është intervistuar dhe ka shpjeguar se ishte larguar nga banesa e tij dhe kishte shkuar për të marrë karamele, mandej po luante me dy moshatarët e tij në shtëpinë e tyre.

Sipas fëmijës ai kishte shkuar me dëshirën e tij në shtëpinë e shokëve të vet, pa asnjë lloj kërcënimi ose force.

Gjatë intervistimit të fëmijës, ekspertët e këqyrën atë së jashtmi, duke dalë në përfundimin se ai ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe se në trup dhe në rrobat që mbante veshur nuk kishte asnjë shenjë të përdorimit të dhunës ndaj tij.

Pas gjetjes së fëmijës, ai bashkë me babanë e tij dhe të dy bashkëmoshatarëve të tij janë intervistuar në ambjentet e Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë dhe janë lënë të lirë.

Ngjarja e pavërtetë u bë publike sot në orën 10.30, pas një telefonate të mbërritur në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku sinjalizohej se një automjet tip Benc Mercedez, me ngjyrë të zezë, kishte lëvizur me shpejtësi nga rruga kryesore e fshatit Vaqar për në drejtim të fshatit Gropaj dhe personat që udhëtonin me këtë automjet dyshohej se mund të kishin marrë peng shtatëvjeçarin F.Gj., banues në fshatin Prush të Tiranës, një telefonatë që rezultoi pas ppak orësh krejtësisht e pavërtetë.

mit/NOA
KOMENTE