Vjenë, 9 Shtator 2010 NOA - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - Prezenca në Shqipëri, del me një raport të posaçëm për Shqipërinë që aktualisht po lexohet nga kryetari Robert Bosh, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.
Që në krye të herës, ambasadori Bosh pohon faktin se klima politike në vendin tonë është mjaft e tensionuar dhe vëren: “Pas 20 viteve të gjata tranzicioni, publiku shqiptar pret që udhëheqësit e tij politikë t’i japin fund kapitullit të zgjedhjeve të kontestuara”.
NOA ka siguruar raportin e plotë që e gjeni më poshtë:
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
Prezenca në Shqipëri
RAPORT I KRYETARIT TË PREZENCËS SË OSBE-SË NË SHQIPËRI
MBAJTUR PËRPARA KËSHILLIT TË PËRHERSHËM TË OSBE-SË,
MË 9 SHTATOR 2010
HYRJE
Që prej raportit të fundit përpara Këshillit të Përhershëm, Prezenca ka vijuar të ndjekë udhëzimet e dhëna nga Shtetet Pjesëmarrëse dhe Sekretariati, duke pasqyruar përparësitë kombëtare të vendit pritës. Duhet t’i shprehim vlerësimin tonë vendit pritës dhe, në veçanti, Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe këshillimin e mirë gjatë të gjithë vitit, që kanë kontribuar së shumti në punën e Prezencës. Mirënjohje u duhet shprehur, gjithashtu, të gjitha institucioneve të tjera qendrore dhe vendore me të cilat Prezenca është angazhuar aktivisht. Falënderimi ynë shkon edhe për të gjitha institucionet shumëpalëshe dhe shtetet pjesëmarrëse që kanë financuar programet tona gjatë vitit të shkuar. Prezenca i ka përqendruar burimet e saj në mënyrën më efikase të mundshme dhe ka synuar të ndërmarrë projekte të mëdha, të orientuara drejt rezultatit. Në të vërtetë, Prezenca e zvogëloi numrin e projekteve në katalogun e saj të projekteve nga 34 në vitin 2009 në 24. Ky raport do të paraqesë një përmbledhje të zhvillimeve kryesore politike dhe programore të vitit të kaluar, për aq sa ato kanë të bëjnë me mandatin e Prezencës.
ZHVILLIMET KRYESORE POLITIKEKlima politike, që nga raporti i vitit të shkuar, është karakterizuar nga mosmarrëveshja politike mes qeverisë dhe partisë kryesore opozitare, Partisë Socialiste (PS), në lidhje me zgjedhjet parlamentare 2009. Megjithëse një axhendë legjislative është mbajtur gjatë vitit të shkuar, sidomos në fusha thelbësore që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën ekonomike dhe policinë gjyqësore, mungesa e dialogut politik ka penguar mundësinë e ligjvënësit për të miratuar disa ligje të nevojshme për të çuar përpara axhendën e integrimit. Në shtator 2009, PS-ja ndërmori atë që rezultoi në një bojkot gjashtëmujor të Kuvendit, duke e kushtëzuar kthimin e saj me përmbushjen e kushteve të lidhura me procesin zgjedhor, përfshirë një rinumërim të fletëve të votimit, përmes krijimit të një komisioni hetimor. Si rrjedhojë e këtij bojkoti, kalimi i ligjeve të rëndësishme për zbatimin e axhendës së reformave, për të cilat kërkohej një shumicë e cilësuar, u bë de facto i pamundur. Qeveria, nga ana e saj, pretendonte që të gjithë hapat ligjorë për kontestimet zgjedhore ishin shteruar plotësisht me përfundimin e procesit formal të apelimit të zgjedhjeve. Qeveria mbetet e gatshme të pranojë të gjitha kërkesat e PS-së, sa kohë që kjo nuk përfshin hapjen e kutive të votimit, me pretendimin që kjo është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën. Nuk është nevoja të thuhet që PS-ja i hedh poshtë këto argumente.
Pa një marrëveshje në horizont, PS-ja ndërmori, në nëntor, një sërë protestash kombëtare, që zgjatën deri në prill 2010. Mosmarrëveshjet rreth natyrës së komisionit hetimor të kërkuar nga PS-ja kanë bërë që komisioni të mos fillojë asnjëherë nga puna. Në maj, PS-ja mbylli, më në fund, një grevë urie që zgjati dy javë, mbajtur gjithashtu në përgjigje të ngërçit të pandërprerë, pasi dy udhëheqësit politikë kryesorë u ftuan në Strasburg nga drejtuesit kyç të Parlamentit Evropian për të diskutuar zgjidhjet e mundshme. Takimi solli krijimin e një procesi jozyrtar ndërmjetësimi, me mbështetje nga Komisioni Evropian. Edhe ky proces rezultoi i pafrytshëm. Gjatë kësaj periudhe, një ide, e cila u hodh publikisht, ishte hapja e menjëhershme e kutive të materialeve zgjedhore, ndërsa çështja e ligjshmërisë së hapjes së kutive të fletëve të votimit të merrej në shqyrtim nga Komisioni i Venecias. Qeveria, megjithëkëtë, vuri në dukje se kjo binte ndesh me dispozitën e Kodit Zgjedhor, që parashikon se fletët e votimit duhen shkatërruar menjëherë me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Me gjithë debatin e vazhdueshëm publik mbi këtë çyshtje, nuk u gjet asnjë zgjidhje përpara pushimit veror, por besohet se bisedimet vazhdojnë me dyer të mbyllura.Në disa raste, si përmes deklaratave publike, ashtu dhe gjatë takimeve me aktorët vendas, Prezenca e ka nxitur klasën politike shqiptare që të gjejë të njëjtin nivel vullneti politik që arritën të gjenin për të miratuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, megjithëse këto ndryshime nuk u mirëpritën aspak nga partitë më të vogla. Në të vërtetë, standardet e zgjedhjeve shqiptare janë të ngritura në themel mbi vullnetin e mirë politik të ndërtuar nga vetë klasa politike. Sistemi i administratorëve të zgjedhjeve të caktuar politikisht ka qenë një arsye kyçe shqetësimi dhe, megjithëse herët a vonë Shqipëria, më në fund, mund të kalojë në një sistemi jopartiak të administrimit të zgjedhjeve, një vullnet më i madh politik do të nevojitet për të garantuar përmbushjen e plotë të standardeve ndërkombëtare, në zgjedhjet e ardhshme për qeverinë vendore. Rekomandimet e ODIHR-it dhe sugjerimet e tjera për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit duhet të zbatohen sa më shpejt. Pas 20 viteve të gjata tranzicioni, publiku shqiptar pret që udhëheqësit e tij politikë t’i japin fund kapitullit të zgjedhjeve të kontestuara.
Një tjetër pasojë e ngërçit ka qenë paaftësia e klasës politike për të filluar punën për adoptimin e reformës zgjedhore të nevojshme me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Praktika më e mirë ndërkombëtare sugjeron që kjo reformë duhet të përfundohet rreth gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Meqë zgjedhjet vendore janë planifikuar për t’u zhvilluar në maj 2011, kjo do të thotë që puna duhet të përfundojë brenda nëntorit 2010. Duke qenë se tani jemi në shtator dhe nuk është bërë asnjë progres, është vështirë të shihet sesi afati i nëntorit mund të arrihet, sidomos duke pasur parasysh se komisioneve të mëparshme parlamentare ad hoc u është dashur përherë mbi tre muaj për të përfunduar punën e tyre. Në të vërtetë, një proces konsensual reforme, i bazuar në rekomandimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, duhet të fillojë sa më shpejt dhe të përfundojë pas një procesi të përshtatshëm konsultimi - një procesi me qasje gjithëpërfshirëse. KQZ-ja, më pas, do të jetë në gjendje të zbatojë me efektivitet çfarëdo ndryshimesh për të cilat do të bihet dakord në fund. Një kusht parësor për mbajtjen e zgjedhjeve të suksesshme – dhe kjo është, edhe një herë, e lidhur ngushtë me çështjen e vullnetit politik – do të jetë plotësimi i listave të zgjedhësve në kohën e duhur, ku një qasje bashkëpunuese mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, pa dallim nga ngjyrimet politike, do të jetë thelbësore për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve.Sa i përket shtetit të së drejtës, pavarësia e gjyqësori mbetet një sfidë. Gjyqësori shpesh mund t’u nënshtrohet ndërhyrjeve të jashtme dhe, me gjithë deklaratat publike rreth nevojës për të përzgjedhur gjyqtarët më të mirë të mundshëm, emërimeve dhe transferimeve në gjyqësor shpesh u mungon transparenca e mjaftueshme. Gjykata Kushtetuese ka fituar një pavarësi në rritje që nga viti 2005 dhe kjo duhet parë si një zhvillim pozitiv. Shpresohet që kjo prirje të vazhdojë edhe pasi zëvendësimi i dy të tretave të Gjykatës të përfundojë, më në fund, brenda 2010-ës. Mundësia e emërimit të gjashtë anëtarëve të Gjykatës në vitin 2010 është në shkelje të dispozitës kushtetuese, sipas së cilës, një e treta e anëtarëve zëvendësohet çdo tre vjet, ndonëse, nga ana tjetër, mosemërimi i të gjashtëve do të shkelte dispozitën që parashikon kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të kësaj Gjykate. Kjo situatë kërkon një zgjidhje legjislative brenda pak viteve të ardhshme, për të siguruar që nuk do të përsëritet. Procesi në vazhdim i caktimit të gjyqtarëve të rinj, si për Gjykatën Kushtetuese, ashtu dhe për Gjykatën e Lartë, ku Presidenti bën propozimin e kandidatëve për t’u miratuar nga parlamenti, ka sjellë tensione midis Partisë Demokratike (PD) në pushtet dhe Presidentit (i ardhur gjithashtu nga PD-ja), pasi disa nga kandidatët e propozuar u hodhën poshtë, ngaqë, sipas qeverisë, ata nuk përmbushnin kriteret e caktuara, me pretendimin që ata kanë qenë politikisht aktivë gjatë regjimit komunist të kaluar.
Në diskutimin e organizmit të gjyqësorit, duke qenë se Kushtetuta kërkon shumicë të cilësuar për miratimin e legjislacionit për pushtetin gjyqësor, mungesa e gjatë e PS-së në parlament dhe politika e saj e mëpasshme për të mos votuar asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar ka bërë që parlamenti të mos jetë në gjendje të miratojë disa ligje kyçe, ndër më kryesoret atë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për zëvendësimin ligjin jokushtetues për Konferencën Kombëtare Gjyqësore dhe, veçanërisht, ligjin për krijimin e Gjykatës Administrative. Gjatë të gjithë vitit, PS-së i është sjellë në kujtesë, në mënyrë të përsëritur, nga shumë aktorë ndërkombëtarë, se kishte përgjegjësinë për të përmbushur detyrën e saj kushtetuese si një opozitë konstruktive dhe për të kaluar disa ligje shumë të rëndësishme me gjithë mërinë e saj. Situata e nderë politike ka bërë që, përgjithësisht, ata të mos i marrin parasysh këto thirrje.
Në mars 2010, Gjykata Kushtetuese e shpalli ligjin "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve" si antikushtetues. Ky ligj kishte për qëllim të hetonte të kaluarën e zyrtarëve të lartë publikë të zgjedhur dhe të emëruar, në lidhje me përfshirjen e tyre me regjimin komunist. Vendimi shprehte se çështjet e trajtuara nga ky ligj kërkonin që ai të miratohej përmes një shumice të cilësuar në parlament, që dispozitat në lidhje me kompetencat e Autoritetit të Kontrollit të Figurave kufizonin, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të papërshtatshme, disa të drejta të caktuara kushtetuese, dhe se ligji shkelte ndarjen e pushteteve, duke krijuar një organ të ekzekutivit, i cili do të kishte përgjegjësinë për të hetuar zyrtarët e lartë të parlamentit dhe të gjyqësorit. Megjithëse një lloj ligji për lustracionin mund të jetë e pranueshme dhe e nevojshme për Shqipërinë, ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Shqipërisë.Duke hasur rezistencë të fortë nga opozita dhe nga pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, një projektligj Për Shërbimin Informativ i Shtetit u tërhoq zyrtarisht nga procesi legjislativ, përpara mbylljes së sezonit parlamentar gjatë verës. Projektligji fillestar dukej se zvogëlonte nivelin e mbikëqyrjes parlamentare dhe rriste mbikëqyrjen e qeverisë mbi Shërbimin. Një tjetër shqetësim ishte që projektligji do t’i kishte dhënë Shërbimit Informativ Shtetëror kompetenca në fushën e policimit. Sipas qeverisë, të gjitha këto shqetësime kanë gjetur përgjigje në draftin më të fundit të paraqitur tashmë në Kuvend. Prezenca shpreson të marrë një kopje të këtij projektligji për të konfirmuar shkallën në të cilën fushat problematike janë trajtuar. Ky shembull ilustron situatën e përgjithshme të procesit të hartimit të ligjeve në Shqipëri. Në Strategjinë e saj Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013, Shqipëria është angazhuar për të zhvilluar “konsultime më intensive në fazën e hershme të procesit legjislativ” dhe për të përgatitur “analiza të opsioneve të politikës, përpara se të propozohen ligje të reja”. Ne e shohim si një shenjë pozitive ndërmarrjen e një angazhimi të tillë. Megjithatë, siç ka treguar edhe rasti i sipërpërmendur, mbetet ende punë për të bërë.Sa u përket të drejtave të njeriut, ky vit ka parë një numër zhvillimesh tejet pozitive. Në shkurt 2010, Kuvendi miratoi ligjin Për mbrojtjen nga diskriminimi dhe, në maj 2010, Komisionierja për Mbrojtjen nga Diskriminimi bëri betimin zyrtar. Ligji ofron mbrojtje për një gamë të gjerë personash që mund të jenë pre e diskriminimit. Institucioni, megjithatë, ende nuk ka marrë fonde të mjaftueshme nga qeveria për të operuar me kapacitet të plotë. Në fund të 2009-s u hap një qendër e re paraburgimi në Durrës, me standarde jetese të përmirësuara ndjeshëm, si dhe një institucion i posaçëm i shumëpritur për të mitur në Kavajë. Mbipopullimi i mëparshëm në burgje është në rënie të vazhdueshme, kryesisht falë ngritjes së sistemit të ri të provës. Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, të cilat synojnë t’u japin zyrtarëve të burgjeve më shumë mjete për një menaxhim të efektshëm. Është nevoja që këto ndryshime të rishikohen, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e njeriut të të burgosurve. Në shkurt 2010, përfundoi mandati i Avokatit të Popullit. Për të zgjedhur një Avokat Populli të ri kërkohet një shumicë parlamentare e cilësuar. Megjithëse institucioni vazhdon të funksionojë përgjithësisht mirë, mbetet nevoja urgjente për të zgjedhur një Avokat Populli të ri. Gjatë vitit të shkuar duket se ka pasur një rënie të numrit të ankesave për largime të pajustifikuara nga administrata publike. Prapëseprapë, akuzat për largime për arsye të aktivizimit opozitar të anëtarëve të familjes së punonjësve të administratës vazhdojnë. Nga numri i madh i punonjësve të administratës publike për të cilët gjykatat dhe organet administrative gjykuan se ishin larguar padrejtësisht, shumë pak prej tyre janë rregulluar në punë të përshtatshme.Sa u përket pakicave, situata është më së shumti pozitive, por me disa sfida që mbeten për t'u trajtuar. Ndonëse kuadri ligjor për mbrojtjen e pakicave ekziston, niveli i zbatimit mbetet i pjesshëm. Megjithëse legjislacioni aktual kundër diskriminimit i bën të gjitha pakicat të barabarta, shteti ende i konsideron ato pakica të cilat nuk i përkasin një shteti të caktuar ekzistues se janë në një kategori të ndryshme nga ‘pakicat kombëtare’, gjë që prek, kryesisht, bashkësitë rome, arumune, dhe egjiptianët e Ballkanit. Kjo ka sjellë një trajtim, në një farë mase të ndryshëm, veçanërisht sa i përket shkollimit në gjuhën mëmë. Përfaqësimi i pakicave në institucionet shtetërore mbetet i ulët. Në nëntor 2009, qeveria kaloi legjislacion për të përmirësuar procesin e regjistrimit të lindjeve të reja dhe individëve të bashkësisë rome. Megjithëse qeveria duhet përshëndetur për miratimin e një Strategjie Kombëtare, si pjesë e saj e Nismës së Dekadës Rome, është e rëndësishme që angazhimet e parashtruara në Strategji të përmbushen.
Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, janë parë përmirësime të mëdha në identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Qeveria ka zbatuar Mekanizmin e saj Kombëtar të Referimit dhe ka mbajtur takime me partnerët përkatës për të përmirësuar funksionimin e tij. Ndonëse trafikimi i qenieve njerëzore drejt vendeve të Evropës perëndimore ka rënë ndjeshëm, trafikimi i brendshëm, në format e shfrytëzimit të fëmijëve për punë dhe shfrytëzimit seksual të grave, mbetet një shqetësim. Qeveria e ka njohur publikisht këtë prirje dhe ka shfaqur një vendosmëri të qartë publike për të kërkuar mënyra për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe përmirësimin e procedurave të kthimit. Qeveria ka vazhduar të tregojë përkushtim për të forcuar bashkëpunimin me të gjithë partnerët në kuadrin e parandalimit. Zyra e Koordinatorit Kombëtar ka vazhduar të drejtojë grupe pune rajonale për antitrafikimin, me pjesëmarrjen e partnerëve përkatës, megjithëse këto grupe, siç raportohet, jo gjithmonë i trajtojnë rastet e trafikimit e sjella në vëmendjen e tyre. Qeveria ka vazhduar të financojë linjën telefonike 24-orëshe pa pagesë për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit, si dhe të ndjekë e analizojë prirjet e trafikimit përmes një baze të dhënash kombëtare. Në mars 2010, u miratua një ligj i ri, i cili lejon financimin nga shteti të strehëzave për viktimat e trafikimit. Ky ligj është një hap përpara në dhënien e mbështetjes së qëndrueshme për strehëzat dhe përfituesit e tyre.Lufta kundër korrupsionit mbetet një përparësi kryesore kombëtare dhe në legjislacionin kundër korrupsionit janë bërë përmirësime. Në mars 2010, ishte pozitiv miratimi i një Plan Veprimi të përditësuar për Strategjinë Ndërsektoriale për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe për një Qeveri Transparente. Sidoqoftë, ka ende probleme me mekanizmat e raportimit nga ministritë e linjës, dhe mungesa e përputhshmërisë dhe harmonizimit midis tyre mbetet një sfidë. Përparim i madh është bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) në ekspozimin e rasteve të konfliktit të interesit dhe në zbatimin e detyrimeve për deklarimin e pasurive. Viti i shkuar ka parë një rritje në ndjekjen e suksesshme penale të zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm me akuzën e korrupsionit. Përpjekjet për të ndjekur zyrtarë të lartë, megjithatë, mbeten më modeste, me organet shtetërore kundër korrupsionit si ILDKP-ja dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit që kritikojnë mungesën e ndjekjes së mëtejshme nga Prokuroria, ku janë përcjellë dosje të figurave të larta të dyshuara për korrupsion.Në luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike, rritja e bashkëpunimit me Interpolin, Europolin dhe shumë misione policore dypalëshe në luftën e krimit ndërkufitar ka sjellë ndalimin e shumë operacioneve kriminale. Për të parandaluar kultivimin e kanabis sativës, policia vendosi një prani të përhershme në zonat ku kjo bimë është rritur historikisht. Të gjitha marrëveshjet ndërkufitare janë në fuqi dhe po zhvillohen shumë veprimtari të përbashkëta ndërkufitare. Qendra Detare Operative Ndërministrore në Durrës po punon mirë. Mjetet e lundrimit me lëndë të jashtëligjshme të cilat kanë lënë ujërat shqiptare janë kapur me efektivitet nga autoritet italiane falë komunikimit të përmirësuar me Qendrën. Korrupsioni i brendshëm po luftohet dhe arrestimet e fundit dëshmojnë se po bëhet progres. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka qenë i suksesshëm në kryerjen e inspektimeve financiare, të zbatimit të rregulloreve, të rendimentit të punës, raportimit dhe shërbimeve joinspektuese të ofruara nga organizatat e jashtme të inspektimit.
Në lidhje me reformën e pronës, investimet dhe huadhënia private dhe publike do të vazhdojnë të hasin pengesa derisa të garantohet pronësia. Çështja ndërlikohet më tej nga një kuadër ligjor që është kompleks dhe nuk jep një përkufizim të njëtrajtshëm të pronësisë. Një tjetër shqetësim janë kërkesat e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim dhe kthim të pronës së konfiskuar gjatë regjimit të kaluar. Shoqata, të cilat përfaqësojnë ish-pronarët, kanë vënë në dukje, në mënyrë të përsëritur se, deri më sot, shumë pak ish-pronarëve u është kthyer toka apo u është dhënë kompensim. Ekziston shqetësimi se këto çështje nuk do të gjejnë zgjidhje derisa qeveria të bëjë përparim të mëtejshëm në zhvillimin e një strategjie për reformën e pronës dhe të identifikojë pengesat që vonojnë procesin e kthimit. Për shembull, kompetenca e agjencisë për të rishqyrtuar vendimet e saj është temë e një debati të vazhdueshëm që e ka ngadalësuar procesin. Çështja është ende e pazgjidhur; së fundmi Presidenti i hodhi poshtë ndryshimet në ligjin për këtë çështje. Në mungesë të një strategjie të tillë, bashkërendimi mes ministrive dhe agjencive përkatëse mbetet modest, duke shkaktuar paefektshmëri dhe shpesh një dublim të përpjekjeve. Mungesa e një kuadri të qartë strategjik ka rezultuar në një planifikim të dobët dhe një shpërndarje të pamjaftueshme të burimeve buxhetore për të garantuar zbatimin e ligjeve për pronën.Sa i përket decentralizimit, kërkohet një dialog më pak i politizuar mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, në mënyrë që të ndërtohet një kuadër më i qartë. Procesi vetë shfaqet shpesh i shkëputur dhe i mangët në transparencë, ndërsa qasjes së qeverisë, aktualisht, i mungon kthjelltësia për strukturën e dëshiruar të qeverisë vendore dhe rajonale. Sigurimi i burimeve financiare për organet e qeverisë vendore nuk ka qenë në hap me sferën e tyre të zgjeruar të përgjegjësive dhe kompetencave për ofrimin e shërbimeve publike. Ndryshimet e vitit 2009 në ligjin për taksat vendore duket se bien ndesh me ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisë vendore, i cili u jep organeve të qeverisë vendore të drejtën për të vendosur tarifat në varësi të kostos së shërbimit të dhënë. Legjislacioni i ri për fusha si, planifikimi i territorit, inspektimi i ndërtimeve dhe ujësjellësit i sfidoi më tej parimet e vendimmarrjes vendore. Roli i shoqatave të qeverisë vendore si avokatë të interesave të përbashkët vendorë, gjithashtu, duhet forcuar, në mënyrë që ato të arrijnë potencialin e tyre të konsiderueshëm. Shpërndarja e fondeve për autoritetet vendore është, gjithashtu, shpesh, më pak objektive, domethënë që bashkitë e drejtuara nga opozita janë më pak të favorizuara, sidomos për sa ka të bëjë me të ashtuquajturat grante konkurruese, të cilat akordohen në konkurrencë krahas granteve standarde.Në fushën e qeverisjes mjedisore, qeveria mund të mbështetet në punën e sukseshme gjatë vitit të shkuar. Një pjesë e legjislacionit të BE-së u adoptua me synim forcimin e mbrojtjes së mjedisit dhe lehtësimin e arritjes së objektivave kombëtare për prodhimin e energjisë së pastër dhe riciklimin e mbetjeve. Një Task Forcë qeveritare u krijua për menaxhimin e mbetjeve, bashkë me adoptimin e një Strategjie Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve dhe të Plan Veprimit përkatës për të ndihmuar ruajtjen e një mjedisi të pastër dhe mbrojtjen e ekosistemeve të brishta në zonat e përcaktuara për turizëm. Një Agjenci Kombëtare e Mjedisit ka për qëllim të zhvillojë kapacitetet për monitorimin e standardeve, bashkë me një Inspektorat Kombëtar të Mjedisit, për të përforcuar zbatimin e rregulloreve në fusha si uji dhe pylltaria. Gjithsesi, është nevoja që tani të shihen përpjekje të mëtejshme për të siguruar një zbatim më të mirë të konventave ndërkombëtare, si Konventa e Arhusit dhe Direktivat e BE-së, si dhe Vlerësimi për Ndikimin në Mjedis.
Në fushën e medias, burimet financiare dhe transparenca në tregun e mediave vazhdojnë të jenë shqetësim. Duket se organet mediatike më me ndikim po përqendrohen gjithnjë e më shumë në duart e një numri të vogël pronarësh. Nuk ka kritere ligjore që të kufizojnë zotërimin e tregut nga një organ apo grup mediatik, në mënyrë që të garantohet pluralizmi. Ekziston, gjithsesi, një dispozitë, e cila e kufizon zotërimin e një stacioni televiziv kombëtar në 40 për qind, por kjo dispozitë është shpërfillur në mënyrë të përsëritur. Vetëm një pakicë transmetuesish i deklarojnë publikisht bilancet e tyre vjetore financiare te Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT), me gjithë detyrimin ligjor për ta bërë këtë. Burimi i financimit për shumicën e mediave mbetet i paqartë. Mungesa e solidaritetit në sektorin mediatik dobëson aftësinë e mediave për t’i bërë ballë trysnisë nga biznesi e politika dhe ndikon gjithashtu në kushtet e punës së gazetarëve. Shumë gazetarë punojnë pa kontrata formale, pa sigurime shoqërore dhe pa një status ligjor. Kjo, si dhe përqendrimi i pronësisë, vështirësojnë raportimin objektiv dhe të paanshëm të lajmit. Sa i përket kësaj të fundit, ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të rolit të radiotelevizionit publik. Reforma e ligjit për shpifjen nuk ka shkuar asnjëherë përtej statusit të draftit që nga viti 2007. Pasi rastet e verifikuara të padive për shpifje nga shteti ndaj gazetarëve patën munguar gjatë periudhës së raportimit, çështja u kthye sërish në axhendë. Në një rast të bërë shumë publik, gjykata vendosi që një stacion televiziv duhej t’i paguante një ish-ministri 400 mijë euro si dëmshpërblim. Media tregoi, përmes një kamere të fshehtë, ministrin teksa kërkonte favore seksuale nga një kandidate për punë, pas së cilës ai u shkarkua, por iu drejtua gjykatës. Në përgjithësi, pasiguria ligjore rreth përkufizimit të shpifjes dhe fushëveprimit të ligjit vazhdon dhe nuk ka mbrojtje ligjore për gazetarët ndaj pretendimeve të pajustifikuara për shpifje.Një projektligj "Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë" po punohet në një grup pune, por, që nga prilli 2009 nuk është zhvilluar asnjë shqyrtim i hapur për publikun në komisionin parlamentar të medias. Duke qenë se komisioni parlamentar u angazhua për të hartuar një plan pune që më 2007-n, progresi aktual mund të përshkruhet si modest. Qeveria ka vendosur që të fusë transmetimet numerike dhe t’i heqë transmetuesit analogë nga qarkullimi brenda dhjetorit 2012, dhe një strategji dixhitalizimi u hartua nga KKRT-ja në 2008-n. Duke pranuar që projekt dokumenti ishte një fillim i mbarë, Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias ka vërejtur se dokumenti në fjalë ishte ende i paplotë. Megjithatë, tani thuhet se dokumenti po cilësohet nga KKRT-ja dhe qeveria si një ‘dokument përfundimtar’, megjithëse ky i fundit duhet ende të përcaktojë kriteret për t’u përmbushur nga stacionet televizive, në mënyrë që të konsiderohen si transmetues dixhitalë. Në përgjigje të rekomandimeve të OSBE-së, në prill, u ngrit një grup pune për të mbikëqyrur zbatimin e dixhitalizimit, ku marrin pjesë ministritë e linjës, KKRT-ja dhe RTSH-ja, i cili është mbledhur një herë.
Në fushën e përkatësisë gjinore, çështja e barazisë së mundësive mes gjinive është një pjesë e pandashme e një demokracie të qëndrueshme. Orientimi i politikave të cilitdo vendi me aspirata moderne integrimi duhet që të jetë sigurimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat dhe përfshirja e barazisë gjinore në politika dhe praktika. Megjithëse ligji për barazinë gjinore i vitit 2008 i hapi rrugë integrimit të çështjes gjinore në të gjitha fushat e politikave publike dhe shoqërore, mekanizmat aktualë për zbatimin e ligjit mbeten më të dobët, duke sjellë nevojën që institucionalizimi i pikave të kontaktit për çështjet gjinore në ministritë e linjës dhe qeverinë vendore të kategorizohet ende si ‘në punë e sipër’. Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje dhe Plan Veprimi përkatës ofrojnë, të paktën, një mundësi të mirë për agjencitë shtetërore që të sigurojnë një qasje ndërsektoriale më të plotë për avancimin e barazisë gjinore. Kjo Strategji është caktuar të përfundojë në dhjetor 2010 dhe qeveria tashmë ka nisur një proces pjesëmarrës të vlerësimit të Strategjisë. Do të ishte një hap pozitiv nëse qeveria do ta shfrytëzojë këtë proces në mënyrë që strategjia e re të mund të jetë më e suksesshme në përcaktimin e një kuadri politikash. Viti 2011 do të jetë sërish një vit i rëndësishëm për sa i përket çuarjes përpara të axhendës së barazisë gjinore, duke pasur parasysh zgjedhjet e afërta për qeverinë vendore.Sa i përket shoqërisë civile, qeveria duhet përgëzuar për miratimin e Statutit të Shoqërisë Civile, duke njohur kështu rolin e saj. Megjithëkëtë, ky statut, kryesisht, e përshkruan shoqërinë civile si një ‘partner shërbimi’ të qeverisë. Një qasje e tillë kërkon trajtim të kujdesshëm, në mënyrë që të ruhet besimi publik. Ky vit pa, gjithashtu, parlamentin të miratonte ligjin për organizimin dhe funksionimin e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile. Agjencia është vendosur fizikisht në një ndërtesë të siguruar nga qeveria dhe ka nisur një raund këshillimesh me shoqërinë civile për të përcaktuar mënyrën e saj të operimit. Gjithsesi, agjencia ka mbajtur vetëm një takim bordi; një plan pune nuk është hartuar ende. Do të ishte një shenjë e mëtejshme pozitive, nëse buxheti i shtetit do të parashikonte një zë më vete për shoqërinë civile, siç ndodhi dy vjet më parë, me kushtin që këto fonde të shpërndahen në mënyrë transparente. Aktorët e shoqërisë civile, për më tepër, kanë shprehur shqetësim për një ligj tjetër të ri për inspektimin financiar, i cili i jep qeverisë lejehyrje në mjediset dhe dokumentacionin e cilësdo OJF që merr çfarëdo lloji fondesh nga donatorët, siç pretendohet, pa asnjë parakusht apo mbrojtje nga abuzimi. Kjo çështje ka vëmendjen tonë të vazhdueshme.
Gjatë periudhës së raportimit, Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta bëri përpjekje të vazhdueshme dhe vërtet të mëdha për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të forta me të gjitha vendet e rajonit, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal.VEPRIMTARITË KRYESORE TË PREZENCËS
1. Shteti i së Drejtës dhe të Drejtat e NjeriutPërkrahje e mëtejshme është ofruar në procesin e reformës legjislative dhe gjyqësore, me qëllim zhvillimin e strukturave ligjore transparente dhe të një procesi legjislativ të shëndoshë. Në reformën gjyqësore, për të ndihmuar në zhvillimin e standardeve të një gjykimi të drejtë në procedimet civile, dhe në përgatitje të raportit përfundimtar mbi përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës së procedimeve civile, janë zhvilluar anketa rreth aksesit në pesë gjykata rrethi, si dhe vlerësime të procedimeve civile. Prezenca, gjithashtu, ka vijuar të vëzhgojë gjykimet e çështjeve civile, duke e zgjeruar zonën e saj të vlerësimit edhe në gjykatat jashtë kryeqytetit. Prezenca ka marrë pjesë, gjithashtu, në diskutimet për projekt ndryshimet në ligjin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit.
Sa i përket mbështetjes legjislative, është ofruar mbështetje në hartimin e ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi dhe të akteve nënligjore për rregullimin e funksionimit të Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Prezenca mori pjesë në një grup këshillimor ad hoc të ngritur nga Ministria e Integrimit për hartimin e projekt Strategjisë për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale dhe Industriale 2010-2015. Komente me shkrim janë ofruar mbi ndryshimet e propozuara të Kodit Penal në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të pronës industriale dhe korrupsionin, mbi projektligjin për Gjykatën Administrative dhe mbi inspektimin e ndërtimeve. Me kërkesë të qeverisë, është ofruar asistencë në hartimin ose ndryshimin e legjislacionit, përfshirë rishikimet në ligjin për policinë gjyqësore. Prezenca hartoi një raport ku analizohet situata e fëmijëve që kryejnë vepra penale, por që janë nën moshën e përgjegjësisë penale.
Në fushën e reformës administrative, Prezenca kryesoi një grup pune për të diskutuar nevojat e trajnimit për profesionistët që punojnë me të dënuarit, me qëllim zhvillimin e një programi të nivelit Master. Seminare janë mbajtur për gjykatës dhe prokurorë rreth përdorimit të dënimit në komunitet dhe rolit të shërbimit të provës. Është botuar edhe një manual rreth punës së Shërbimit të Provës për gjykatës dhe prokurorë. Janë organizuar trajnime për punonjësit e shërbimit të provës për të zhvilluar një praktikë prove efektive. Një seminar u organizua për Shërbimin e Provës rreth abuzimit me substancat narkotike dhe rreth modaliteteve të ndërhyrjeve psikosociale. U botua një manual dhe janë mbajtur seminare për punonjësit e policisë që kanë të bëjnë me fëmijët viktima, dëshmitarë, ose shkelës të ligjit. Është ofruar trajnim për zyrtarë të qeverisë vendore për parandalimin e zbatimit të papërshtatshëm të legjislacionit për shërbimin civil, si dhe për zyrtarët e burgjeve në lidhje me të drejtat e të burgosurve dhe kërkesat ligjore të dokumentacionit për zyrtarët e burgjeve. Gjithashtu, ambientet e paraburgimit në polici u pajisën me afishe, të cilat përmbajnë të drejtat e personave të ndaluar dhe shoqëruar, në mënyrë që policia të përmbushë rolin e saj më mirë.2. Demokratizimi
Veprimtaria programatike gjatë vitit të shkuar ka vazhduar të jetë e fokusuar te reforma zgjedhore, reforma e gjendjes civile, ndërtimi i kapaciteteve të Kuvendit, barazia gjinore, shoqëria civile dhe media. Në fushën e reformës zgjedhore, është vazhduar të jepet mbështetje në ndërtimin e kapaciteteve institucionale. Një vizitë studimore u organizua në Mbretërinë e Bashkuar për një delegacion, të përbërë nga përfaqësues të partive politike dhe KQZ-së, për të ndjekur zgjedhjet parlamentare dhe vendore të mbajtura atje, në maj 2010. Një delegacioni nga KQZ-ja iu mundësua të merrte pjesë në Konferencën e Gjashtë Evropiane të Organeve të Menaxhimit të Zgjedhjeve, mbajtur në Hagë. Një vizitë studimore u organizua në Kroaci për të vëzhguar zgjedhjet presidenciale atje dhe për të ndihmuar KQZ-në për të krijuar lidhje të mëtejshme me homologët e huaj. KQZ-ja u asistua në mbajtjen e takimit përurues të një forumi të komisionerëve të zgjedhjeve me synimin për të paraqitur sugjerime për përmirësimin e aspekteve teknike të administrimit të zgjedhjeve.Në reformën e gjendjes civile, theksi është vënë në aspektet e qëndrueshmërisë dhe cilësisë së menaxhimit të të dhënave, të cilat do të kontribuojnë në cilësinë e listave të zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme të qeverisë vendore. Është ofruar trajnim për personelin në nivel qendror, si dhe janë zbatuar mjetet e menaxhimit, të cilat do të përmirësojnë dhënien e shërbimit, do të kontrollojnë kostot dhe do të zbusin rreziqet e lidhura me funksionimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC). Ka vazhduar, gjithashtu, puna me sistemin e adresave për të krijuar një Regjistër Kombëtar të Adresave (RKA). Është vënë në punë Sistemi Gjeografik i Informacionit (GIS) për një bazë të dhënash të adresave, e cila përmban harta dixhitale të njësive të qeverisë vendore, lënda bazë për RKA-në. Regjistri përfundimtar do të lidhet me RKGJC-në, në mënyrë që të bëhet regjistrimi i duhur i banesave të qytetarëve.
Sa i përket mbështetjes për Kuvendin, Shërbimi i Administratës u asistua me përpilimin e një sërë përshkrimesh pune të rishikuara. U mundësuan kurse trajnimi për drejtuesit, si dhe seminare për personelin e teknologjisë së informacionit rreth zbatimeve më të fundit të kësaj teknologjie në vazhdim të mbështetjes për instalimin e një rrjeti kompjuterik, që rezultoi në një bazë të re të dhënash. Në bashkëpunim me misionet e OSBE-së në rajon, u organizua një takim për Sekretarët e Përgjithshëm të parlamenteve për të diskutuar E-parlamentin. Kjo u pasua nga një trajnim për strukturat menaxhuese rreth planifikimit dhe buxhetimit të brendshëm. Në bashkëpunim me ODIHR-in, u përgatit një vlerësim legjislativ. Mbështetje është dhënë edhe në përgatitjen e një strategjie komunikimi për parlamentin. Asistencë iu ofrua edhe Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në hartimin e një projektligji për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative.Në fushën e medias, me qëllim për të mundësuar zbatimin transparent të strategjisë së dixhitalizimit në Shqipëri, një ekspert i OSBE/ODIHR-it i ofroi KKRT-së mbështetje, duke ndihmuar në hartimin e dispozitave ligjore të nevojshme për procesin e dixhitalizimit të televizionit. Prezenca organizoi një konferencë kombëtare rreth pavarësisë së medias dhe etikës në media. Mbështetje është dhënë edhe në krijimin e një Klubi Shqiptar të Medias – organi i parë vetërregullues i medias në Shqipëri. Klubi i Medias ka, deri më sot, 12 organe mediatike si nënshkrues. Anëtarët themelues u dërguan në Rumani për t’u takuar me përfaqësues të Këshillit të Shtypit rumun për të diskutuar procesin e zbatimit të strategjisë së dixhitalizimit nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit rumun, si dhe për t’u takuar me shoqata vendore të mediave për të kërkuar mënyra për të mbrojtur interesat e tyre në mënyrë kolektive.
Në fushën e përkatësisë gjinore, në mbështetje të qeverisë për të zbatuar kuadrin ligjor për barazinë gjinore dhe Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje, dhe, gjithashtu, në kuadrin e zgjedhjeve të ardhme për qeverinë vendore të 2011-s, një projekt u fokusua te rritja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike. U mbajtën forume me temë udhëheqjen dhe përkrahjen, për të rritur dukshmërinë e grave të zgjedhura në nivel vendor, drejtueseve të OJF-ve dhe zyrtareve të administratës publike. Një konferencë kombëtare mbi stereotipet gjinore ofroi një shkëmbim përvojash në lidhje me këto stereotipe. Drejtoria e Politikave të Mundësive të Barabarta u ndihmua, gjithashtu, në zbatimin e ligjit për barazinë gjinore në shoqëri dhe të strategjisë kombëtare. Një vizitë u organizua për zëvendësministren e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta në Vjenë për t’u takuar me ekspertë të çështjeve gjinore. Prezenca vazhdoi të mbështeste financiarisht Qendrën e Këshillimit të Grave në Kukës.Sa i përket shoqërisë civile, Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile në Korçë dhe Bashkia e Korçës u mbështetën në pilotimin e një instrumenti të ri në përkrahje të shoqërisë civile: Fondi i Zhvillimit të Shoqërisë Civile, në kuadrin e projektit të Fondit të Bashkisë të Mbështetjes së Shoqërisë Civile. Në 2009-n, ky Fond mbështeti 14 veprimtari. U organizua, gjithashtu, një konferencë kombëtare për përfaqësues të shoqërisë civile me fokus tek e ardhmja e shoqërisë civile.
3. Qeverisja në Çështjet Ekonomike dhe MjedisoreFokusi, këtë vit, është vënë tek antikorrupsioni, qeverisja e mirë vendore dhe reforma rajonale, reforma e pronës, dhe antitrafikimi. Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Koordinatori Kombëtar i Antitrafikimit u mbështet në përqasjen e legjislacionit të antitrafikimit me Konventën e Antitrafikimit të Këshillit të Evropës. Seminaret me Komitetet Rajonale të Antitrafikimit dhe Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve (NJMF) kanë vazhduar. Projekti i mbështetur nga ODIHR-i ndihmoi në rritjen e aksesit të viktimave të trafikimit dhe/ose të personave në rrezik trafikimi te sistemi i drejtësisë, duke u siguruar mbështetje ligjore falas. Një trajnim u zhvillua për profesionistët rreth të drejtave të viktimave të trafikimit dhe të drejtën për kompensim me qëllim zhvillimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave të bazuar tek të drejtat. Krijimi i një NJMF-je në Vlorë ndihmoi në identifikimin dhe referimin e fëmijëve dhe familjeve në rrezik trafikimi dhe shfrytëzimi. Një projekt, gjithashtu, u fokusua në zhvillimin e mundësive ekonomike të grave, në veriun e Shqipërisë.
Sa i përket reformës së pronës, për të asistuar në zgjidhjen e kërkesave të pazgjidhura për kthim dhe kompensim, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po i jepet ndihmë teknike për të rritur aftësinë e saj për të përdorur mbështetjen e siguruar më herët në fushën e teknologjisë së informacionit për menaxhimin e kërkesave. Meqenëse përmbyllja e procesit të regjistrimit dhe lëshimi i titujve të qartë të pronësisë janë parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të asistohet deri në fund të vitit 2011 për të përfunduar regjistrimin e pronave të paluajtshme në bregdet.Në luftën kundër korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, zyrtarë nga ministritë e linjës dhe nga organe të tjera kryesore shtetërore u trajnuan në lidhje me detyrimet e tyre, që rrjedhin nga legjislacioni për parandalimin e konfliktit të interesit. Prezenca punoi me shoqërinë civile për të nxitur një përfshirje më efektive me mekanizmat shtetërorë të antikorrupsionit dhe në çështjet e qeverisë vendore, si dhe për të rritur transparencën dhe llogaridhënien.
Sa i përket decentralizimit, është ofruar asistencë për njësitë e qeverisë vendore për menaxhimin e pronave dhe pasurive publike vendore, me qëllim zgjerimin e burimeve financiare për të financuar dhe përmirësuar shërbimet vendore. Ka vazhduar bashkëpunimi me Këshillin e Evropës në zbatimin e projekteve për qeverinë vendore të lidhura me bashkëpunimin ndërbashkiak dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Dy njësi të qeverisë vendore u asistuan në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin efektiv të pronës publike dhe një manual i praktikave më të mira u zhvillua dhe iu dorëzua njësive të qeverisë vendore, për të shërbyer si një ‘udhërrëfyes’ në përcaktimin e menaxhimit të tokës publike.
Në fushën e sigurisë mjedisore, ka vazhduar mbështetja për qeverinë sa i përket përmbushjes së detyrimeve për pjesëmarrjen publike në proceset e planifikimit. Trajnim u është ofruar zyrtarëve publikë, sektorit privat, shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore rreth Konventës së Arhusit dhe Direktivës së BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Qendrat e Informacionit të Arhusit mundësuan zhvillimin e dialogut mes aktorëve qeveritarë dhe joqeveritarë rreth çështjeve me interes vendor si, shpyllëzimi, peshkimi i jashtëligjshëm dhe menaxhimi i mbetjeve. Pjesëmarrja në Grupin e Punës të Arhusit u zgjeruar për të përfshirë ministritë e ngarkuara me punët publike, ekonominë dhe turizmin, bashkë me OJF-të.4. Bashkëpunimi në Çështjet e Sigurisë
Që nga tetori 2008, asistencë teknike është vazhduar t’u ofrohet Policisë së Shtetit, Policisë së Kufirit dhe Migracionit, si dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në mbështetje të policisë, u ofrua trajnim i avancuar për instruktorët e policisë në metodologjitë e avancuara të mësimdhënies. Një kurs gjuhe të huaj u përfundua për Policinë e Kufirit dhe Migracionit. Një trajnim mbi taktikat e mbrojtjes u zhvillua si një kurs trajnim-për-trajnuesit për instruktorët e Policisë së Shtetit. Në mbështetje të zbatimit të strategjisë së qeverisë për policimin në komunitet, u organizuan tryeza të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e policisë, prefektëve, institucioneve arsimore dhe shoqërisë civile. Në mbështetje të Departamentit të Hetimeve Penale, u siguruan pajisje dhe trajnime për operacionet e fshehta policore. Një program u organizua për të ngritur poligone qitjeje pranë drejtorive të policisë. Për të rritur kapacitetin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, disa hetues u trajnuan në teknikat e hetimit. Për të ndihmuar Policinë e Shtetit në operacionet e kontrollit të turmave, shtatë punonjës policie u trajnuan në Gjermani. Policia është ndihmuar, gjithashtu, për rritjen e numrit të grave në polici.Në mbështetje të procesit të çmilitarizimit, Ministria e Mbrojtjes u përkrah për ta çliruar vendin nga municionet e tepërta konvencionale, duke siguruar sharra industriale hidroabrazive me shirit. Këto sharra tani presin në gjysmë municione të kalibrit të madh, në mënyrë që të hiqet lënda plasëse. Kalibri më i madh – predhat e mortajave me kalibër 160mm – tashmë ka përfunduar, me 3 400 tonë të asgjësuar. Ministria ka 400 tonë lëndë kimike të vjetruar ose të papërdorshme në inventarin e saj, për asgjësimin e së cilës ajo po asistohet. Të 110 tonët e dikloroetanit, lënda kimike që përbënte përparësinë kryesore të Ministrisë për t’u asgjësuar, tashmë janë asgjësuar me djegie dhe nuk ekzistojnë më.