English

“Reforma Ceka”, si mund të shpëtohet arkeologjia

Tiranë, 9 shtator, NOA/ Gëzim Llojdia - Reforma Ceka konsiston në një përmirësim drastik të gjendjes aktuale, vlerësim më të madh në ruajtje te trashëgimisë, restaurim të monumenteve, dhënie fondeve për gërmim, bashkëpunim me pushtetin lokal, hapje muzeumesh të reja arkeologjike si dhe rritje të vizitueshmërisë në monumentet.

Me një fjalë, përqendrim dhe zhvillim për të shpëtuar trashëgiminë nga ngecja prej një tranzicioni sakatues për këtë fushë të rëndësishme të kulturës tonë.

Çfarë mund të cilësohet më e rëndësishme dhe përse?

Bashkimi në një qendër të vetme të këtyre institucioneve si: ASHA ,QIKP, parqet arkeologjike, muzetë arkeologjik të futen në “shtëpinë e DRMK” të rretheve.

Pema e trashëgimisë do të përbëjë në qendër trungun, pra DRMK, e cila do përfshijë institucionet të cilat deri tani janë të ndërvarura nga Drejtoria e Trashëgimisë në MTKRS.

Trashëgimia një hallkë e stërmadhe, që mezi mbahet në këmbë, do të transferohet nga Rruga e Kavajës, në Kinostudio, por me një ndryshim thelbësor: Funksionimin e saj.

Po të shqyrtojmë lëvizjet e ushtrisë në fushën e betejës, ushtria e institucioneve të trashëgimisë në shesh-betejën e sotme është një një lëvizje kuturu dhe për ç’të dalë. I pari Përqendrimi dhe sjellja e njerëzve shkencorë në krye të saj do të sjellë përmirësim të gjendjes, vlerësim të trashëgimisë, dhënie fondesh pushtetit lokal për përmirësim të gjendjes, hapja e muzeve të reja të konceptuar në mënyrën më të mirë.

Si do të matet kjo?

Vetëm ndërtimi i kompleksit muzeal të Pashalimanit, që kushton diku tek 7 milion euro, do të jetë vendi më atraktiv për turistët e të gjitha stinëve. Kush nuk ka dëshirë të vizitojë 3 muzeume, që do të përfshihen në një të vetëm me një fill lidhës nga antikiteti në ditët e Luftë së Ftohtë”.

E njëjta gjë për muzeumin e arkeologjisë nënujore në Palermo. Skema aktuale e trashëgimisë është një skemë e vjetëruar, që funksionon prej 20 vitesh siç ka ekzistuar në vitet e regjimit të kaluar.

Një ndreqje e vogël ka qenë vetëm parqet dhe krijimi i ASHA.

Përgjegjësia e kësaj qeverie qëndron pikërisht në atë që quhet “thellim i reformave në të gjitha fushat” dhe këtu reforma Ceka është dhe duhet të jetë primare për të shpëtuar kulturën tonë, ndërkaq do të shpëtojnë edhe trashëgimia nga zyrtarët e shumtë.

Reforma duhet të jetë agresive në këtë fushë në mënyrë që të korrë frytet e saj. Përndryshe ajo të mbetet vetëm një hallkë administrative burokratike që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit pa dhënë asnjëherë frutet e saj, por duke dëgjuar lutje e këmbana gazetash për vjedhje, prishje apo rrëzim monumentesh.

g.ll/NOA

KOMENTE