Beograd, 9 Shtator 2010 NOA/ Eglantina Nasi – Nis kriza politike në Serbi, pasi rezoluta kundër Kosovës pësoi ndryshime të cilat nuk janë pritur aspak mirë nga partitë në Beograd, ndërkohë që nga Prishtina zyrtare, përfaqësues të institucioneve dhe të opozitës në
Kosovë, përshëndetën modifikimin e projekt-rezolutës, që Serbia deponoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Partia Progresiste Serbe (SNS) u shpreh sot se Serbia po përballet me një fiasco dhe me një largim të egër kushtetues
nga përpjekjet për të mbrojtur sovranitetin e saj, bëjnë të ditur mediat kryesore vendase, B92, Beta dhe agjencia shtetërore e lajmeve, Tanjug.
SNS është një parti opozitare serbe e cila u krijua si rezultat i ndarjes nga Partia Radikale Serbe, e drejtuar nga Tomislav Nikolic në tetor 2008. SNS deklaron se kjo parti është e hapur për bisedime dhe negociata me BE-në, por nuk pranon sjelljen arrogante të regjimit në fuqi në Serbi, të cilët po fshihen pas BE-së me gënjeshtra.
SNS po ashtu, deklaron se dëshiron bashkëpunim të ngushtë mes BE-së dhe Serbisë, si dhe dialog për të gjitha çështjet me rëndësi.
“SNS e ka informuar BE-në që bisedimet e tij me regjimin në Serbi dhe me Boris Tadiçin janë të ligjshme, por që ato nuk përfaqësojnë më një shkëmbim opinionesh dhe marrëveshjesh me shumicën në Serbi” – sipas deklaratës.
Partia Progresiste kërkon që ata të cilët insistuan për Opinionin e GJND-së të mbajnë përgjegjësi për atë që ka ndodhur dhe për faktin që po i gënjejnë qytetarët për më se dy vjet, duke pretenduar se pritej një fitore e Serbisë.
Partia Progresiste Serbe bën thirrje të mbahet përgjegjësi prej atyre që kanë gënjyer ndaj vendeve të tjera në botë duke u përpjekur ti bindin ata se Serbia po mbron vetveten nga ndarja përmes rezolutës së saj, dhe për dhjetëra miliona euro që Serbia ka harxhuar në përpjekjet e saj, si dhe për valën e re të njohjeve të Kosovës që priten të ndodhin së shpejti.
Partia Progresiste gjithashtu bëri thirrje për zgjedhje urgjente parlamentare në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për këtë politikë të re, pas ndryshimit rrënjësor të politikës shtetërore mbi të gjitha çështjet e rëndësisë kombëtare.
Reagimet në Kosovë
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se presioni ndërkombëtar për ndryshimin e projekt-rezolutës e ka sjellë Serbinë në situatë që në momentin e fundit të tërhiqet dhe të pranojë një rezolutë pothuajse të rishkruar. “Në këtë mënyrë Serbia, gradualisht, po bëhet faktor i çtensionimit të situatës në rajon”, tha Krasniqi, duke shtuar se me rezolutën e re të gjithë kanë fituar: BE-ja, Serbia dhe Kosova. “Këtu nuk ka humbës, të gjithë janë fitues”, theksoi Krasniqi, i cili shprehu bindjen se në përmbajtjen e re, projekt-rezoluta afirmon opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se është mirë që Serbia tërhoqi versionin e parë. Ai përjashtoi mundësinë e bisedimeve për statusin e Kosovës. “Ne kemi qenë gjithmonë dhe jemi të bindur se vullneti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, mendimi i GJND-së do të respektohet dhe në këtë drejtim nuk ka dilema". "Kosova është për bashkëpunim ndërshtetëror me cilindo shtet për fqinjësi të mirë, për bisedime që kanë për rëndësi bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane, por nuk do të ketë bisedime për statusin, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kuçi. I pyetur nëse Prishtina pranon përmbajtjen e projekt/rezolutës së re, Kuçi tha se institucionet mbesin në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. “Ne jemi në koordinim me SHBA-të, me BE-në, dhe çdo rezolutë që reflekton vullnetin e qytetarëve dhe mendimin e GJND-së, ku hapur thotë se pavarësia e Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ne jemi në këtë vijë”, u shpreh Kuçi. Në tekstin e ri të propozim-rezolutës, Serbia ka hequr dorë nga kërkesat “për të dënuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe për “rifillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës”. e.r/NOA