English

Rruga serbe e ferrit

Serbia, duhet të ndalet definitivisht. Duhet të ndalet pikërisht më 9 shtator. Në OKB. Pikërisht për rastin e Kosovës, ashtu qysh u ndal edhe më 1999, po për rastin e Kosovës

Nga Fehmi Ajvazi

Serbia, edhe njëherë e nxjerrë vetën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, kuptohet duke e keqpërdorur sistemin dhe juridiksionin ndërkombëtar. Kësaj radhe në OKB, në tentim për ta sfiduar qëndrimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundruall pavarësisë së Kosovës. Eleganca politike me të cilën Serbia përpiqet ta manipuloj pavarësinë e Kosovës, është logjika e kaotizuar e atij që është duke u mbytur në mes të oqeanit: deri sa shkon drejt fundosjes së sigurt, përpiqet ta marrë me vete gjithë botën. Siç thotë ajo fjala e njohur e popullit, “Serbia po përpiqet të kapet edhe për një fije kashte për ta mbajtur nën presion Kosovën”, ndërsa që shkon drejt vetëkaotizimit politik dhe shtetërorë, duke i mbetur konsekuente rrugës së ferrit. E filloi rrugën e ferrit në Kosovë, kushtimisht në mars të vitit 1989 kur e suprimoi autonominë, për të vazhduar me luftën kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës, për t’u kthyer sërish një ditë në Kosovë.

Në këtë rrugë, Serbia e mbajti të trazuar gjithë Ballkanin, Evropën dhe pothuaj gjithë botën. Natyrisht, duke përdorur paralelisht politikën dhe forcën si mjete të institucionalizuara-shtetërore. Por që prej vitit 1989, betejat politike dhe ushtarake ndërkombëtare për ta ndaluar Serbinë (herë të angështa dhe herë të ashpra), ishin të filluara. A ju kujtohen bisedimet e Londres, të Dejtonit…? Pastaj, emisarët e ndryshëm si Lordi Kerington, Sajrus Vens, Jasushi Akashi, Riqard Hollbruku etj. Nga aspekti politik i tentativave për bisedime dhe paqe, askush- askurrë nuk gjeti një “mes të qartë politik bisedimesh” me Serbinë për të zgjidhur një të vetmin problem. Sapo e pranoi paqen e Dejtonit, Serbia iu kthye terrorit të hapur në Kosovë. Për një dekadë me radhë sa zgjati shkatërrimi i ish Jugosllavisë, Serbia nuk e pranoi konceptin e paqes dhe as të stabilitetit të qëndrueshëm. U desh intervenimi i NATO-s (1999), që Serbia të ndalej. Krahas luftës, Serbia e përdori egërsisht politikën e tërheqjes së të tjerëve në problemet e shkaktuara nga ajo. Beogradi gjatë luftës në Kosovë, ishte përpjekur që ta përçajë skajshmërisht Bashkimit Evropian, opinionin evropian, skenën politike evropiane dhe ishte përpjekur ta fuste në konflikt drejtpërdrejtë Rusinë. A ju kujtohet rasti kur deri sa ishte në aeroplan, ish ministri i jashtëm rus Jevgeni Primakov (një shef i regjur i KGB-së për Lindjen e Mesme), e kishte anuluar një takim me Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve znj. M. Ollbrajt, m’u për çështjen e Kosovës. Ai, e kishte urdhëruar pilotin të ktheheshin mbrapsht. Në vigjilje të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë (qershor 1999), për pak erdhi deri te konflikti ndërkombëtar në mes të forcave të NATO-s dhe të forcave ushtarake të Rusisë, rreth Aeroportit të Prishtinës.

Serbia, mbrapsht e ka ndjekur dhe e ndjekë edhe sot, rrugën politike nacionale dhe shtetërore të zhvillimit. Si e këtillë, Serbia i ka përdorur dhe vazhdonë t’i përdorë paralelishtë mekanizmat shtetëror: politikën dhe forcën. Ja, po kalon edhe dekada e parë e shek. XXI dhe askush s’po merret vesh qartë me Serbinë për zgjidhjen definitive të rastit të Kosovës: as BE, as GJND, as OKB ! Serbia, ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti kokëfortë, gjenerator i krizave politike dhe i konflikteve. Shkaktar i disa luftërave gjatë shek. XX-të (Luftërat Ballkanike, Lufta e Parë Botërore, Luftërat në ish Jugosllavi), ky vend po përpiqet t’i dhuroj Ballkanit dhe Evropës edhe në këtë shekull, jo qetësi dhe paqe prosperuese, jo stabilitet dhe mirëqenie por konflikte dhe kaos. Pyetja shtrohet: a, është Serbia kaq e shkathtë dhe kaq e fuqishme sa t’i shkaktojë të gjitha këto probleme për rajonin dhe për Evropën, për botën në vazhdimësi, dekada me radhë…? Jo, gjithsesi jo. Por kush qëndron parapa Serbisë ? Përgjigja është e thjeshtë: prapa Serbisë qëndron historikisht Rusia, së bashku me një pjesë të vendeve të bllokut ortodoks dhe me aleatët ideologjikë dhe politikë nga vendet e ashtuquajtura të Botës së Tretë.

Serbia, ka ecur rrugës së ferrit. Ajo, ka bërë dëme të pallogaritshme: majtas e djathtas. Askush-askurrë, nuk ka ndërmarrë një analizë të qartë dhe të faktizuar, një analizë konkrete lidhur me pasojat që Serbia ua ka shkaktuar shoqërive, kombeve dhe vendeve të gadishullit Ballkanik dhe të Evropës (pasojat njerëzore, pasojat materiale-ekonomike, politike, arsimore, kulturore etj.). Po bëhen mbi njëqind vjet që shoqëria serbe, kombi serbë, shteti serbë (sido që të themi), nuk zhvillohen në mënyrë normale. Mentaliteti agresiv dhe vorbulli i një shoqërie të mbushur me politika konfliktuoze që shquhen për kultivim të mendjemadhësisë kolektive dhe të projekteve të krimit, janë çështje që nuk mund të anashkalohen më tutje. Serbia nuk është fenomen, nuk është shtet sui generis. Por, konfliktet dhe kaosi janë mënyra e ekzistencës serbe: që nga individi, e deri te celulat e organizuara institucionale-shtetërore. Pse, me aq shumë rrëmujë serbët dhe Serbia e mbyllën shekullin XX-të ? Pse po me rrëmujë, serbët dhe Serbia e kanë filluar shekullin XXI?

Serbia, e trason edhe sot rrugën e ferrit. Serbia, frymon edhe me instiktet e oktapodit. Ajo është në këtë rrugë, qysh se është krijuar si pashallëk (pashallëku i Beogradit) më 1844. Nuk bëhet fjalë për dilema shoqërore-nacionale: mentaliteti dhe agresiviteti kolektiv serbë, janë mënyra e reflektimit të mendjemadhësisë dhe e krenarisë së shpifur, prapavija e të cilave ka si qëllim injorimin dhe dominimin ndaj të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për dilema natyrore: ecja mbrapsht e Serbisë, është mënyra politike e tendencave të shtetit serbë për të reflektuar gënjeshtra, superioritet, përçarje, fuqi, injorancë, hegjemonizim, etj.

Serbia, duhet të ndalet definitivisht. Duhet të ndalet më 9 shtator. Në OKB. Pikërisht për rastin e Kosovës, ashtu qysh u ndal më 1999, po për rastin e Kosovës. Duke u ndalur, Serbisë duhet t’i bëhet dosja nga Gjykata e Hagës, dhe të fillojë të hetohet si shtet për të gjitha krimet e bëra që prej vitit 1912: kundër shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve etj. Pra, t’i bëhet një gjykim Serbisë, një gjykim publikë ndërkombëtar (qoftë edhe moral) në atë mënyrë që ajo të zhvishet lakuriq bashkë me makiavelizmin politikë dhe të forcës me të cilat, Serbia e ka arsyetuar gjithandej teknologjinë e politikave hegjemoniste të krimit nëpër rrugën e pafund të ferrit, duke synuar vazhdimisht që ta tërheqë pas vete gjithë botën….

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE