Prishtinë, 9 shtator 2010 NOA – Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të televizionit Klan Kosova, gjegjësisht ndaj gazetares znj. Valentina Ahmeti dhe kameramanit z.Arben Restelica, të ndodhur në oborrin e shkollës fillore “Gjon Sereçi”, në Ferizaj.
Sulmin ndaj ekipit të televizionit Klan Kosova, UGK e konsideron si të pa pranueshëm dhe si cenim të shprehjes dhe lëvizjes së lirë të gazetarëve.
Unioni i Gazetarëve të Kosovës tha sot se ai dënon ashpër aktet e tilla të cilat janë të pa pranueshme, dhe goditje e rëndë për realizimin e punëve të gazetarëve.
UGK, kërkon nga polica e Kosovës dhe nga Drejtorati për Arsim, që të ndërmarrin menjëherë masa ndaj drejtorit të shkollës “Gjon Sereçi”, z. Milazim Durguti.
Unioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje z. Milazim Durguti, që të kërkojë falje publike për gjestin dhe sjelljen e ulët të treguar ndaj gazetarëve të Klan Kosovës.
Veprimet e tilla janë edhe një dëshmi e radhës sesa shumë dikë e pengon zbulimi i të vërtetës dhe puna profesionale, - thotë UGK.
Kurse kërkon edhe nga institucionet e Kosovës dhe nga ato ndërkombëtarë që aktorët që po pengojnë vazhdimisht punën e gazetarëve të sjellën para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Unioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje edhe Policisë së Kosovës (PK), që të jenë më vigjilent në mbrojtje të gazetarëve, në mënyrë që t’u mundësohet kryerja e punës në mënyrë profesionale.
Në fund, UGK, i bën thirrje të gjithë kolegëve që të punojnë për lirinë e shprehjes dhe të mos bien preh e provokimeve nga njerëzit që i pengon fjala e lirë.
a.b/NOA