English

Akuzat dhe incidenti, flet Hektor Ajazi, kunati i ministres Majlinda Bregu

Tiranë, 10 Shtator 2010 NOA - Hektor Ajazi, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ka folur sot për herë të parë pas përfoljeve të shumta në media për afera të dyshuara korruptive, pas akuzave të PS për korrupsion si dhe incidentin e ndodhur dy ditë më parë kur edhe u shoqërua nga policia e u mor në pyetje. Ajazi, ka paraqitur edhe tre dokumente të cilat i gjeni bashkë me këtë shkrim.

““Në respekt të festës së Bajramit të Madh, nuk kam reaguar këto dy ditë pas akuzave ndaj meje, të qytetarit Naim Sela, mbështetur nga deputeti socialist Artan Gace, deklaroj publikisht se nuk kam lidhje me atë që i ka ndodhur Naim Selës” thotë z.Ajazi duke shtuar: “As e kam goditur, as i kam grabitur pronë, sepse ai s’ka asnjë lidhje me mua e pronën time”.

Më tej vjen kërkesa e z.Ajazi: “I kërkoj publikisht Naim Selës të shpjegojë, se pse i frymëzuar nga socialisti biznesmen Gaci ka ngritur ndaj meje 2 akuza: atë të rrahjes dhe atë të grabitjes së pronës”.

Në vijim Ajazi paraqet vendimin e hipotekës (bashkangjitur me deklaratën) që sipas tij vërteton se pronën, për të cilën deputeti Gaci dhe sekseri Sela pretendojnë që e kam grabitur, unë ia kam blerë me 7.7 2008 zotërisë Nazmi Isuf Kaziut.

“Në deklaratën e tij para noterit, zoti Kaziu deklaron se e ka shitur pronën dhe është paguar prej meje. Kjo vërteton se Artan Gace dhe Naim Sela mashtrojnë kur thonë se unë kam grabitur pronën e dikujt tjetër”, - thotë më tej z.Ajazi.

Kurse tregon: “Sot i kam kërkuar avokatit tim të përgatisë padinë për kallëzim të rremë ndaj qytetarit Naim Sela, i cili pretendon se është goditur nga unë dhe truprojat e mi. I kam shtuar padisë që kam bërë ditë më parë në gjykatë për dy deputetet socialiste, Xhacka dhe Felaj, edhe padinë ndaj Artan Gaces për shpifje dhe dëm moral”.

Në vazhdim të deklaratës për media, z.Ajazi bën edhe një ftesë: “Ftoj Partinë Socialiste dhe deputetët e saj të mos sajojnë histori me rrahje e vjedhje pronash, se nuk ka njeri në Komunën Preze e më tej që t’u besojë. Nuk ka njeri në atë zonë që nuk e njeh sekserin Sela dhe pronat e trashëguara historikisht nga familja Ajazi”.

Kurse duke përfunduar, z.Ajazi thotë: “Ju siguroj se nuk do të lejoj asnjë pseudobiznesmen të kthyer në deputet socialist, apo sekser të keqpërdorur, të grabisë të vërtetën mbi pronat a bizneset e mia”.

e.r/NOA

Në fotofaksimilet: deklarata Noteriale e Nazmi Kaziu dhe vërtetimi i certifikatës së pronësisë)”

Ngjarja ku u dhunua Sela, shpjegimet e Policisë së Shtetit

Ngjarja ndodhi më datë 07.09.2010, rreth orës 19.00 policia është njoftuar se në ambientet e firmës KAJMAK, në autostradën Tiranë-Vorë, gjatë një sherri për motive të dobëta është dëmtuar Naim Muharem Sela.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Stacionit të Policisë Vorë dhe ato të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, të cilët e kanë dërguar shtetasin Naim Sela për ndihmë mjekësore pranë Spitalit Ushtarak Tiranë.

I është marrë kallëzim shtetasit Naim Sela, i cili shpjegon se është goditur me grushte gjatë një sherri nga shtetasit Besnik Zef Lala dhe Hektor Beqir Ajazi.

Rreth orës 22.30 është bërë i mundur identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, i shtetasve Besnik Lala dhe Hektor Ajazi.

Nisur nga gjendja e mirë shëndetësore e të dëmtuarit Naim SELA, u vleresua se shtetasit Besnik LALA dhe Hektor AJAZI kanë konsumuar kundravajtjen penale, atë të “Plagosjes së lehtë me dashje” të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal. Në këto kushte shtetasit Besnik LALA dhe Hektor AJAZI, janë pyetur mbi ngjarjen dhe më pas janë lënë në gjendje të lirë.

Më datë 08.09.2010 i është dërguar për ekspertim Institutit të Mjekësisë Ligjore, Vendimi i Ekspertimit për shtetasin Naim Muharem Sela.

Drejtoria e Policise së Qarkut Tiranë tha se materialet procedurale të përpiluara në ngarkim të shtetasve Besnik Lala dhe Hektor Ajazi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndjekje të mëtejshme.

KOMENTE