English

Asambleja e OKB miraton rezolutën e ndryshuar të Serbisë për Kosovën

Uashington, 10 shtator, NOA - Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Serbia për Kosovën, konkretisht variantin e ndryshuar të saj, pas negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian.

Si rezultat i marrëveshjes së arritur mes presidentit serb, Boris Tadiç dhe kryediplomates së Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, rezoluta ka hequr brenda tekstit të saj thirrjen që përmes dialogut të zgjidhen të gjitha "çështjet e hapura".

Sikundër, në tekstin e ri është shtuar fjalia se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e "përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve".

"Procesi i dialogut do të ishte faktor i paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim përparimin e bashkëpunimit, të realizojë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ta përmirësojë jetën e njerëzve", thuhet në rezolutën e ndryshuar.

Paraqitja e kësaj rezolute dhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishin dy nisma të ndërmarra nga Serbia, pas hapit fillestar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, së cilës i kërkoi në korrik një opinion mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, rezoluta e miratuar në Asamblenë e OKB-së u sponsorizua nga Serbia dhe 27 vendet anëtare të Bashimit Evropian.

Ajo pranoi ofertën e BE-së për të ndihmuar në procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për të nxitur bashkëpunimin, ndërsa hoqi edhe pjesë të rezolutës që e quanin shpalljen e njëanëshme të pavarësisë së Kosovës të papranueshme.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, theksoi përsëri se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

"Republika e Serbisë nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë kurrë shpalljen e njëanëshme të pavarësisë së Kosovës”, deklaroi ai dje në mbledhjen e OKB-së.

n.e/NOA

KOMENTE