Tiranë, 10 shtator, NOA – “Lepuri që nxori sot nga oborri Saliu ishte Gerti, kurse vjersha që recitoi Gerti ishte e vetmja gjë që di të bëjë Sali Baba kur i dalin zullumet: Shaj e shpif me leje ndërtimi!”.
Kjo ishte akuza e radhës që mbërriti nga selia rozë, në lidhje me aferta korruptive që ajo ka denoncuar publikisht së fundmi. E drejtuar përmes deputetit socialist Taulant Balla, deklarata e re e Partisë Socialiste përmbante akuza direkte për kryeministrin Berisha, të cilin e konsideroi si të lidhur me personat që akuzohen nga socialistët për afera korruptive.
“Sot populli do të dijë nga kryeministri kush janë njerëzit dhe interesat private që fshihen pas vendimeve korruptive të qeverisë së tij? Si është e mundur që qeveria e këtij vendi të bëhet administratë në shërbim të plotë të interesave të Sali Babës e të dyzet hajdutëve të tij? Cilat janë lidhjet e Sali Berishës me zullumet e Priftit, Bregut, Vokshit apo Rulit që siç po del përditë e kanë kthyer postin shtetëror në biznes privat?”, ishin disa nga pyetjet që drejtoi publikisht, deputeti socialist Taulant Balla.
Duke shtuar në fund se shqiptarët duan të dinë nëse Berisha dhe familja e tij ka pjesë në fitimin prej 1.8 milionë eurosh të Dritan Priftit, në hidrocentralet e Bregut, në puset e naftës së Vokshit, në privatizimet pafund të Rulit, përfshirë këtu “ish-ekspozitën
Shqipëria sot”.
n.e/NOA