English

Edi Rama: Puna jonë, për të rritur më shumë cilësinë e jetës në Tiranë

Rikonstruktohet tërësisht shkolla “Petro Nini Luarasi”. Rama: “Do të rrisim akoma më shumë cilësinë e jetës në shkollat dhe hapësirat e komuniteteve të kryeqytetit”

Tiranë, 10 Shtator 2010 NOA – Update - Të investosh për shkollën nuk është asnjëherë e mjaftueshme, pasi do të thotë të garantosh dhe të investosh për të ardhmen e vendit dhe të komunitetit, do të thotë t’u ofrosh studentëve mundësinë për t’u rritur dhe formuar në një ambient të përshtatshëm, t’u garantosh atyre një mundësi më tepër në përballjen pa frikë me sfidat e botës së sotme, një botë ku marrin gjithnjë e më shumë rëndësi përgatitja individuale, aftësia për të konkurruar dhe kërkimi cilësor.

Këtë sfidë, Bashkia e Tiranës e ka realizuar me sukses përmes projekteve dhe investimeve konkrete, me impenjimin serioz dhe shfrytëzimin në maksimum të burimeve njerëzore, sa i përket këtij sektori kaq të rëndësishëm.

Një sfidë e tillë është edhe ajo që Bashkia e Tiranës ka realizuar me përfundimin e rikonstruksionit të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr.5, duke mundësuar rehabilitimin e saj tërësor dhe krijimin e kushteve cilësore për 1500 nxënësit që marrin mësimet e tyre në këtë shkollë, një nga institucionet arsimore ku përvoja e përparuar, ka bërë që të studiojnë mjaft figura të shquara në politikë, qeverisje apo jetën shoqërore të vendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tha gjatë përfundimit të punimeve se shkolla “Petro Nini Luarasi” është një nga ato simbole të arsimimit të të rejave e të rinjve të Tiranës, që ka pasur qysh në ditët e para të saj në të shkuarën e largët një shkëlqim të veçantë.

“Këtë shkëlqim deshëm t’ia rikthejmë “Petro Ninit” duke plotësuar një sërë aspektesh që kishin mangësi, duke ndërtuar një sistem tërësisht të ri dhe modern ngrohjeje, duke ndërtuar një palestër të re, klasa të reja, por njëkohësisht, duke qenë të vetëdijshëm se duhet ta kemi këtë shkollë si dhe shkollat e tjera të traditës në Tiranë në qendër të vëmendjes, jo përvit po përditë, për të rritur akoma më shumë cilësinë e jetës në këto mjedise jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por edhe pas orëve të mësimit, në mënyrë që edhe aktiviteti social e kulturor I nxënësve e nxënësve të kësaj shkollë të jetë i garantuar në mjediset e kësaj shkolle ashtu si dhe në hapësirat e komuniteteve ku ato banojnë”.

Rikonstruksioni

Ndërhyrja është konceptuar jo vetëm si një hapësirë që i dedikohet mësimdhënies, por edhe si hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive, duke respektuar gjithashtu vlerat ambientale dhe duke e konsideruar atë si një organizëm arkitektonik, i cili do të shfrytëzohet maksimalisht nga studentët.

Rikonstruksioni tërësor i një sipërfaqeje totale prej 1600 m2do të sigurojë kushte komode për zhvillimin e procesit mësimor, duke marrë parasysh gjithashtu edhe nevojën e konfigurimit të hapësirave sportive, si hapësira të cilat do të qëndrojnë të hapura edhe në aktivitetet sportive dhe kulturore jashtëshkollore.

Kësisoj, ndërhyrja përfshiu rikonstruksionin e palestrës, tarracës, dyshemesë, por edhe nyjeve sanitare të shkollës.

Në objekt u instalua rrjeti i ri elektrik dhe i furnizimit me ujë, rrjeti telefonik dhe rrjeti i internetit, ndërkohë që u realizua sistemi i ngrohjes qendrore, duke parashikuar edhe instalimin e sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, sipas normave dhe standardeve europiane.

Pjesë e rikonstruksionit të shkollës janë edhe fasadat e godinës, ndërkohë që rëndësi të veçantë merr edhe sistemimi i terreneve të jashtme (oborrit), që u realizua sipas standardeve të kërkuara, duke siguruar ambiente të përshtatshme për nxënësit dhe mësuesit.

Në pjesën e pasme të shkollës është ndërtuar një godinë e re me sipërfaqe 190m2, me konstruksion beton/arme, me disa ambiente të ndara në të cilat janë vendosur, kaldajat, rezervuari i naftës, rezervuarët e ujit, grupi i pompave dhe kabina elektrike.

Përmirësimi i procesit të mësimdhënies dhe cilësisë së infrastrukturës, investimet në kapitalin njerëzor intelektual dhe formues, pra ndërhyrjet e mirëstudiuara në sistemin tonë shkollor janë ato objektiva të cilat garantojnë të drejtat e çdo individi për formim dhe edukim përgjatë gjithë harkut të jetës, duke favorizuar mundësinë e rritjes kulturore e profesionale të gjithsecilit.

Programet dhe ndërhyrjet në infrastrukturën shkollore, përmes planeve të programuara financiare, zgjedhjes së shërbimeve publike të kualifikuara, realizimi i tyre sipas standardeve bashkëkohore përbëjnë një investim me rëndësi absolute në modernizimin dhe teknologjitë e avancuara për atë bashkëjetesë të domosdoshme qytetare e demokratike, e cila pastaj është mjedisi i duhur për të gjitha energjitë pozitive për të gjithë talentet dhe dhuntitë e brezit të ri.

e.r/NOA

KOMENTE