English

Hapet sot në Tiranë ekspozita e Valery Dyrzi Tarasov

Tiranë, 10 shtator, NOA – Piktori shqiptar Valery Dyrzi Tarasov do të hape sot në orën 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën vetjake.

Piktori që prej kohësh jeton në Itali do të prezantohet me dy cikle kryesore nga krijimtaria e tij. Cikli i parë është i lidhur me identitetin njerëzor, ku kombësitë dhe origjina marrin një tjetër simbol. Cikli i dytë janë piktura që tregojnë riformimin e individualitetit njerëzor dhe artistik përmes gjuhës vizive të pikturës.

Valery Dyrzi Tarasov ka lindur me 2 qershor 1956 dhe punon e banon në Itali. Babai i tij është shqiptar dhe nëna ruse. Familja e tij jeton në Rusi.

Shtypi i shkruar dhe media televizive italiane e kanë cekur dhe përmendur krijimtarinë e tij të ekspozuar.

Valery Dyrzi Tarasov është shembulli i artistit shqiptar që personalitetin e tij artistik nisi ta formojë në kohën absurde të komunizmit në Shqipëri dhe e konsolidoi në kohën e lirisë demokratike në Itali.

Jeta dhe liria për Valerin mbeten ende fjalë të shenjta. Jeta për Valerin është fat, pas gjithë vështirësive që ka kaluar, ndërsa Liria gjendet e përshkruar në pikturën e tij.

a.k/NOA

KOMENTE