Tiranë, 10 shtator, NOA - Çmimet e konsumit në muajin gusht shënuan një rritje prej 0.8 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm, korrik 2010, ndërsa ndryshimi vjetor i indeksit të tyre është 3.5 përqind kur një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 përqind.
Një fakt i tillë u theksua në raportin e fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” shënoi një rritje prej 1.7 përqind, ku brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 3.6 përqind vërehet në nëngrupin “fruta”.
Ndërkaq, gjatë muajit gusht çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e grupit ”Ushqime dhe pije jo alkoolike” ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 3 përqind, “vajra dhe yndyrna” me 3.3 përqind apo qumësht, “djathë e vezë” me 1.7 përqind
Sikundër, thuhet se indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” ka shënuar një rritje prej 0.5 përqind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkolike rriten me 0.8 përqind.
Ulje ka pësuar në fakt indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë”, prej 0.5 përqind.
n.e/NOA