English

Kryhet betimi i Medi Bicit para trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë

Tiranë, 10 shtator 2010 NOA - U zhvillua sot, përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, ceremonia e betimit të gjyqtarit të ri Medi Bici.

Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, u betua solemnisht se do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi duke respektuar rregullat e etikës profesionale.

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne në ambientet e Gjykatës së Lartë, Kryetarja e kësaj gjykate Shpresa Beçaj theksoi ndër të tjera se: “jemi të ndërgjegjshëm se përzgjedhja e kandidaturave dhe vendimmarrja për të plotësuar edhe tre vendet vakante, kërkon angazhim serioz e përgjegjësi të lartë”.

Kurse vazhdoi idenë e saj: “Por rastet e përsëritura që kjo gjykatë lihet me vende vakante për një kohë të gjatë na detyrojnë t’i bëjmë apel Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë për t’i kushtuar vëmendjen e duhur e gjetjen e mirëkuptimit parimor për plotësimin e vendeve vakante të krijuara që prej 2 Majit 2009 e në vazhdim në Gjykatën e Lartë”.

Për znj. Beçaj, “ky është një detyrim kushtetues qe duhet plotësuar me përgjegjësi e në kohën e duhur me qëllim mirëfunksionimin e detyrës tonë, përmbushjen e misionit për gjykim të drejtë e te shpejtë”.

Medi Bici u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës së Lartë me dekretin nr.6579, datë 25.05.2010, e më pas mori pëlqimin dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai emërohet në këtë detyrë pas një përvoje të gjatë si gjyqtar karriere në fushën e drejtësisë.

Gjatë periudhës 1993-1994 ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me tej, në periudhën 1994-2004, ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Z. Bici gjatë viteve 2004-2010 u emërua dhe ushtroi detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Kush është Medi Bici

Medi Bici, anëtar i Gjykatës së Lartë. Ka lindur në Manzë të Rrethit Durrës në 10.09.1957. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitin 1994 është diplomuar jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira. Ka ndjekur dhe përfunduar, në periudhën 2008-2010, me medalje ari studimet pasuniversitare në degën “Shkenca Administrative” pranë Universitetit “UFO”, me gradën shkencore “Master i Nivelit të Dytë”.

Bici është një gjyqtar me karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë, duke filluar që nga viti 1993 si jurist pranë Ndërmarrjes së Qymyrgurit Valias.

Në periudhën 1993-1994 ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me tej, në periudhën 1994-2004, ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Bici gjatë viteve 2004-2010 u emërua dhe ushtroi detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Për më tepër, gjyqtari Bici ka kryer 30 specializime dhe trajnime, brenda dhe jashtë vendit, në fushën e drejtësisë, kryesisht në të drejtën penale mbi veprat penale të lidhura me krimin e organizuar. Me dekretin nr. 6579, datë 25.05.2010, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

e.r/NOA

KOMENTE