English

Meta përshëndet Rezolutën: Sukses i rëndësishëm i politikës së jashtme të BE

Tiranë, 10 shtator 2010 NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta foli sot pas miratimit të rezolutës serbe në OKB duke e përshëndetur draftin e votuar për Kosovën.

“Dua të përshëndes sot miratimin e djeshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të rezolutës që mirëpret opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi përfundimisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial”, - tha Meta.

“Ne vlerësojmë, - shtoi ai, - se miratimi konsensual i kësaj rezolute dje është një hap shumë i rëndësishëm në respekt të opinionit këshillimor të GJND, por dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe të institucioneve të saj demokratike e evropiane, si dhe një kontribut thelbësor për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajon tonë e më gjerë”.

Meta tha edhe se “ne vlerësojmë reflektimin e Serbisë për t’u tërhequr nga iniciativa e saj e mëparshme e njëanshme dhe pranimin e kompromisit të ofruar nga Bashkimi Europian, si dhe, në mënyrë të veçantë ne përshëndesim të gjitha vendet e Bashkimit Europian për unitetin që dëshmuan për këtë çështje, përfshirë dhe rolin dhe kontributin e Baroneshës Ashton në bisedimet me palën serbe, dhe angazhimin e këtyre të fundit për t’i orientuar në mënyrë evropiane zhvillimet e ardhshme”.

Në këtë pikë, z.Meta tha se tashmë që çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje që i takon së kaluarës, pra një çështje e mbyllur, dialogu për çështje praktike është i domosdoshëm dhe e mbështet atë, duke besuar se midis Serbisë dhe Kosovës do të fillojë një dialog i sinqertë i qëndrueshëm e konstruktiv, si dy shtete të pavarura e të barabarta, për zgjidhjen e çështjeve praktike e konkrete, në dobi të interesave të qytetarëve dhe të perspektivës së tyre evropiane.

Ndërkohë, i pyetur nëse ky kompromis i arritur mund të quhet një pranim de fakto i pavarësisë së Kosovës apo është herët për të folur për këtë nga ana e Serbisë, z. Meta dha këtë përgjigje:

“Që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së nuk është e domosdoshme që të njihet nga Serbia dhe nuk besoj në një hap të tillë, por tërheqja e Serbisë nga rezoluta e mëparshme, e cila ishte e njëanshme, e cila vinte në pikëpyetje autoritetin e GJND-së, e cila vinte në diskutim edhe statusin e Kosovës, është një hap pozitiv që duhet vlerësuar dhe duhet përshëndetur. Natyrisht që ka qenë një hap i vështirë për ta, por në fund të fundit, sikurse e keni vënë re një pjesë shumë e gjerë e opinionit publik atje dhe të forcave politike atje e kanë të qartë që çështja e Kosovës dhe e kontestimit të pavarësisë së saj tashmë i takon të kaluarës dhe duhet të përqendrohen te e ardhmja evropiane e vendit të tyre dhe kjo është një gjë shumë pozitive”.

Kurse pyetjes “A do të kemi një lëvizje të shpejtë nga vendet që nuk e kanë njohur, sidomos 5-shja e BE-së”, - z. Meta iu përgjigj:

“Uniteti i BE-së për këtë rezolutë është një sukses i rëndësishëm i politikës së jashtme të BE-së dhe është një unitet që unë besoj se do të vazhdoj në çështje të tjera ashtu sikurse nuk është hera e parë sepse në fund të fundit edhe vendosja e EULEX-it, që është një mision tepër vital për të ardhmen europiane të Kosovës, është gjithashtu në unison me të gjitha vendet e BE-së, jo vetëm nga 22 vendet që e kanë njohur”.

e.r/NOA

KOMENTE