Berat, 10 shtator, NOA - Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i qarkut të Beratit, Genc Pollo, i shoqëruar nga prefekti Bujar Hoxhaj, u ndal ditën e djeshme për të parë nga afër punimet që po kryhen në aksin rrugor Mbreshtan-Sinjë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge kapin vlerën prej 2 milionë USD ndërsa rikonstruksioni i kësaj rruge është pjesë e programit të "Përmirësimit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale" dhe financohet nga Banka Botërore, Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare.
Loti i parë,Ura e Goricës-Mbreshtan, që ka përfunduar ka një gjatësi 7.7 km, ku 2 kilometrat e para do të kenë një gjerësi asfalti prej 7 m, ndërsa në pjesën tjetër një gjerësi prej 4.75 m.
Pollo u njoh nga afër me zhvillimet e punimeve që po bëhen në lotin e dytë të kësaj rruge, që përfshin Mbreshtan-Sinjë, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për vazhdimësinë e kësaj pjese rruge, me të njëjtat standarde si ajo e lotit të parë dhe për përfundimin edhe të kësaj pjese për një kohë sa më të shpejtë.
Nga ndërtimi i rrugës përfitojnë drejtpërdrejt banorët e të dy komunave me një numër prej 16 000 banorësh.
Nëpërmjet këtij investimi të rëndësishëm, pritet të përgjysmohet koha e përshkimit të rrugës, duke lehtësuar kështu shërbimin e transportit për komunitetet përfituese, dhe cilësinë këtij shërbimi. Njëkohësisht ky investim do të rrisë ndjeshëm aksesin kundrejt shërbimeve dhe aktiviteteve ekonomike, tregjeve rajonale, dhe qendrave urbane, duke ndikuar në uljen e varfërisë dhe rritjen e zhvillimit social - ekonomik të komuniteteve përfituese.
Gjendja fizike e kësaj rruge ka qenë tejet e amortizuar, dhe kalimi i mjeteve bëhej me vështirësi, gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në periudhën e dimrit, duke vështirësuar kështu situatën e shërbimit të transportit rrugor për banorët e zonave ku kalon rruga.
n.e/NOA