English

Pasqyra e Shtypit, 10 shtator 2010

Tiranë, 10 shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 10 shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme raportin e publikuar dje për Shqipërinë nga ambasadori i OSBE, Robert Bosch para Këshillit të Përhershëm të këtij organizmi në Vjenë. Ato paraqesin edhe kërkesën e myslimanëve për një xhami të re në Tiranë, paraqitur presidentit ditën e Bajramit. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i reagimit të historianëve lidhur me ndertimin e mbertit Zog nga ana e kryeministrit Berisha.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Shqipëria i shet BE-së 1500 ton armë”, i cili citon faktin sesi qeveria ka privatizuar shitjen e armëve pas tragjedisë së Gërdecit dhe si janë ngritur 8 kompani private për këtë.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “OSBE: Kriza rrezikon zgjedhjet vendore”, referuar raportit të publikuar dje për Shqipërinë para Këshillit të Përhershëm të OSBE në Vjenë.

“Kremtohet Bajrami, Topi premton xhami të madhe në Tiranë”, është një artikull që citon deklaratat e këmbyera në takimin e Topit me drejtuesit e komunitetit mysliman.

“Nderimi i Zogut, historianët kundër Berishës: Po bëhet si Enveri” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Burri i Vokshit/ Tartari refuzon Prokurorinë”, i cili tregon detaje nga përballja me organin e akuzës, të bashkëshortit të deputetes Albana Vokshi.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Strategjia e PS: Nuk ka kod zgjedhor pa hapur kutitë”.

Ndërkaq, lidhur me problematikat e kulturës në këtë të përditshme do të gjeni intervistën me titullin “Kiço Londo: Qeveria të ndërpresë lidhjet me mafiozët e kulturës”.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e zhvillimit ekonomik është edhe ai me titullin “Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale, Shqipëria e 88-ta”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “E djathta ndahet për Lul Bashën në Bashkinë e Tiranës”, i cili tregon reagime të ndryshme të personazheve brenda së djathtës lidhur me kandidimin e mundshëm të ministrit Basha për Bashkinë e Tiranës.

“Milo: Berisha harron se Zogu e mori pushtetin me zgjedhje të manipuluara”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet një interviste të dhënë nga kreu i PDS.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Letra funeraleve, Bashkia: Mos vdisni më, nuk ka vende në Sharrë”.

“Tritan Shehu: Azemi nuk bindej kollaj, ja pse ndodhi konflikti në ’96-ën” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “OSBE: Ligj i ri, SHISH me kompetenca policie”, i cili tregon detaje nga raporti i publikuar dje për Shqipërinë nga ambasadori i OSBE, Robert Bosch para Këshillit të Përhershëm të këtij organizmi në Vjenë

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Kërkesa ditën e Bajramit: Xhami në tokat e parlamentit”.

Ndërsa çështja e PDK mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Zef Bushati lë Vatikanin për Nard Ndokën”.

“Rreh për vdekje të vëllain për xhelozi” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Raporti i OSBE: PS injoroi këshillat e ndërkombëtarëve”, i cili i referohet kritikave të bëra në raportin e OSBE për mosbindjen e opozitës për të gjetur konsensus mbi krizën politike.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Katër kompanitë celulare, kërkesë zyrtare AEKP-së”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Ish-zyrtari i Prefekturës, djegie me benzinë”.

Ndërsa në rubrikën “vëzhgim” do të lexoni “Rrëfimi i Asllanit: Bajrami i 65-të që festoj”.

n.e/NOA

KOMENTE