Tiranë, 10 shtator, NOA – Partia Drejtësi dhe Unitet me anë të një deklarate të posaçme, ka përshëndetur sot miratimin e rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, ku merret qartësisht dhe pa ekuivoke parasysh mendimi këshillë-dhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas saj, tashmë, çështja e statusit të Kosovës dhe e kufijve të saj është një çështje e mbyllur dhe e vetmja gjë për të cilën mund të bisedojnë Kosova me Serbinë është fqinjësia e mirë dhe marrëveshjet dy-shtetërore.
“PDU është besimplotë se vitin e ardhshëm, në shtator, delegacioni i Kosovës do të ulet si i barabartë mes të barabartëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe jo më si delegacion i ftuar”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
Duke shtuar se vendimi i GJND-së që qartëson juridikisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është bërë tashmë pjesë e dokumenteve zyrtare të OKB-së pas miratimit të kësaj rezolute.
“Tërheqja e Serbisë nga rezoluta e parë e saj, e cila kishte tone të papranueshme në lidhje me pavarësinë e Republikës së Kosovës është një fitore e diplomacisë kosovare, por edhe shqiptare në përgjithësi. Duam të ndajmë me shqiptarët e Kosovës mbështetjen tonë të pakufishme dhe thirrjen për një politikë mbarëkombëtare për sa i përket çështjeve kombëtare, pa dallim nga shteti në të cilin bëjnë pjesë politikanët dhe partitë politike shqiptare”, përfundon deklarata e PDU-së.
n.e/NOA