English

Pollo: Liçensa 3G, tenderi nis me çmimin 12.5 milionë euro

Tiranë, 10 shtator, NOA - Ministra për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit të Komunikimit ka reaguar sot për deklaratat e kompanive që kërkojnë aplikimin në bllok të liçensës së teknologjisë 3G. Në qëndrimin e Ministrisë theksohet se nuk do të lejohet krijimi i monopoleve në këtë treg.

“Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit si ministër përgjegjës për komunikimet elektronike miratoi para disa javësh propozimet e rregullatorit të fushës AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare), pas studimit të brezit të frekuencave nga ky i fundit. Ministri përcaktoi se i pari autorizim individual do të ketë një kohëzgjatje përdorimi prej 15 vjetësh dhe gara do të fillojë nga çmimi dysheme prej 12.5 milionë Euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Nga ana tjetër theksohet se tenderi që do të çelet ditët e ardhshme do të administrohet nga AKEP.

“Dhënia e autorizimeve individuale është një proces hapash suksesivë që vijon në kohë siç dëshmon edhe përvoja e vendeve të tjera që kanë aplikuar më herët teknologjinë 3G.

Siç është dëshmuar edhe më parë, Qeveria nuk lejon e nuk toleron situata monopolistike në treg”, saktëson Ministria.

a.k/NOA

KOMENTE