Tiranë, 10 shtator, NOA – U prezantua sot për herë të parë brezi i përmbaruesve gjyqësorë privatë në Shqipëri, në zbatim të një kuadri të plotë normativ të ndërmarrë nga qeveria.
“Nëpërmjet prezantimit të këtij brezi të parë finalizohen me sukses përpjekjet tona për përmirësimin cilësor të garantimit të një prej drejtave themelore të njeriut, atë të procesit të rregullt ligjor, ku ekzekutimi i vendimeve gjyqësore përbën një pikë fundore shumë të rëndësishme”, u shprehj në ceremoninë e rastit, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
Sipas tij, kjo ceremoni vjen në vazhdën e disa reformave të ndërmarra për sistemin e drejtësisë, që përfshin çdo operator të ngarkuar me funksione në dhënien dhe zbatimin e drejtësisë.
“Në këtë mënyrë materializohet edhe angazhimi i përcaktuar në programin e qeverisë “Berisha”, sipas të cilit forcimi i përmbarimit shtetëror dhe nxitja e shfrytëzimit të mundësive për shërbimin privat përmbarimor do të përbëjnë drejtime të tjera të rëndësishme të reformave me efekte pozitive të drejtpërdrejta dhe dytësore në performancën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, u shpreh më tej ai.
Duke shtuar se “Gjykata Kushtetuese ka pohuar në doktrinën e saj se mbrojtja efektive e lirive, të drejtave dhe interesave kushtetuese dhe ligjore të individëve realizohet në mënyrë efektive nëpërmjet procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit gjyqësor, i cili bashkë me procesin e gjykimit, plotëson kuadrin e veprimtarive themelore”. “Ekzekutimi i detyrueshëm, si faza fundore e së drejtës për gjykim është një funksion publik dhe i gjithë organizimi i shtetit duhet të vihet në dispozicion të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore”, sqaroi kreu i drejtësisë në vend.
Në fund, ai tha se “tashmë Shqipëria fillon të zbatojë në praktikë sistemin dy shkallësh të ekzekutimit të detyrueshëm dhe individi do të ketë lirinë e zgjedhjes së shërbimit publik ose privat përmbarimor. Ky sistem, u zgjodh si modeli më i përshtatshëm në përgjigje të nevojave dhe kushteve të vendit tonë”.
n.e/NOA