English

Rikonstruktohet “Petro Nini”, Rama: I kthyem shkëlqimin shkollës

Tiranë, 10 shtator, NOA – Rreth 1500 nxënësit e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” tashmë do të kenë ambiente dhe kushte bashkëkohore. Investimi i Bashkisë së Tiranës është inauguruar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Rama u shpreh se puna e bërë në këtë institucion të rëndësishëm dhe me traditë në arsim i ka kthyer shkëlqimin e merituar “Petro Ninit”.

“Shkolla “Petro Nini Luarasi” është një nga ato simbole të arsimimit të të rejave e të rinjve të Tiranës, që ka pasur qysh në ditët e para të saj në të shkuarën e largët një shkëlqim të veçantë. Këtë shkëlqim deshëm t’ja rikthejmë “Petro Ninit” duke plotësuar një sërë aspektesh që kishin mangësi, duke ndërtuar një sistem tërësisht të ri dhe modern ngrohjeje, duke ndërtuar një palestër të re, klasa të reja, por njëkohësisht, duke qënë të vetëdijshëm se duhet ta kemi këtë shkollë si dhe shkollat e tjera të traditës në Tiranë në qendër të vëmendjes”, u shpreh Rama.

Ai ka theksuar se puna e Bashkisë në këtë drejtim do të vazhdojë gjithmonë, për të rritur akoma më shumë cilësinë e jetës në këto mjedise, jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por edhe pas tyre.

Shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”, ndodhet në Njësinë Bashkiake nr.5, dhe në të mësojnë rreth 1500 nxënës.

Punimet në këtë shkollë janë përqendruar në një hapësirë që i dedikohet mësimdhënies dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore e sportive.

a.k/NOA

KOMENTE