English

Rrëfehet tifozi shqiptar: Si u burgosa 30 ditë për kupën e Interit

Tiranë, 10 shtator 2010 - Një tifozi shqiptar, admirimi për një ekip të huaj, i ka kushtuar jo pak, por 30 ditë izolim në një nga burgjet më të egra të regjimit komunist. Kjo ka ndodhur në vitin 1978.

Por historia e Bashkim Fishtës, që sot jeton në Tavanjako, një qytezë në provincën e Udines, ka tërhequr vëmendjen e gazetës më të madhe sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport”.

Në shkrimin e saj, gazeta shpjegon se 65 –vjeçari që ka bërë mbi 20 vjet burg politik në Spaç, ishte mbajtur në izolim për 30 ditë vetëm pse kishte festuar për triumfin e Interit në Kupën e Italisë në vitin 1978.

“Lajmin për triumfin e Inter në Kupën e Italisë e dëgjova nga autopalantët në oborrin e burgut që po përcillnin lajmet e Radio Tiranës – citon artikulli Bashkim Fishtën, raporton tv Klan.

Fytyra m’u qesh dhe shtrëngova duart, por një nga rojet më pa dhe më lanë 1 muaj në izolim, me vetëm bukë e ujë, duke më torturuar sa herë ndërroheshin gardianët”.

Bashkimi ka qenë një nga organizatorët në revoltën e famshme të majit 1973 në burgun e Spaçit ku dënimit të tij iu shtuan edhe 10 vite të tjera. Katër shokë të tij u pushkatuan.

Ai ka fituar lirinë vetëm në vitin 1989 dhe mbërriti në Itali në vitin 1991 me gruan dhe të birin, asokohe vetëm 4 muajsh.

Bashkimi nuk e ka harruar pasionin e vjetër për sportin. “Do ta ndjek i qetë të shtunën Inter që do të luajë ndaj Udinese. Do ta shoh në televizor, pasi po të shkoj në stadium emocionohem shumë.” – e ka mbyllur ai rrëfimin e tij.

KOMENTE