Tiranë, 10 shtator, NOA – Deputeti socialist, Eduard Shalsi, në një komunikim publik në vijim të denoncimit të skandalit tek ish-Ekspozita “Shqipëria Sot” tha se gënjeshtra e tij e parë vetëdemaskohet nga fakti se vetë Genc Ruli ka miratuar jo kthimin e pronës, por procesin e privatizimit.
Shalsi e bëri këtë konfirmim duke treguar për mediat përgjigjen që AKKP i ka kthyer Ministrisë së Ekonomisë për këtë truall.
Po ashtu, ai duke treguar dy vendime të ndryshme të qeverisë një të muajit shkurt 2008 dhe një të muajit nëntor 2008, tregoi se të gjitha trojet rreth ish-Ekspozitës kanë ndryshuar çmim, ndërsa vetëm ajo pjesë e Tiranës ka mbetur me një çmim 3 herë më të vogël se trojet ngjitur.
“I kujtojmë ministrit se nuk është ministria e Ekonomisë ajo që kthen pronat, por agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërkohë që gënjeshtra e tij parë vetëdemaskohet nga fakti se vetë Genc Ruli ka miratuar jo kthimin e pronës po procesin e privatizimit të ish-Ekspozitës duke kërkuar vlerësimin e truallit në fjalë. Ku pikërisht ministri i Saliut, Genc Ruli ka futur si pjesë të këtij privatizimi edhe 2762 metër katror truall shtetëror. Këtë e konfirmon edhe vetë zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, tha Shalsi në deklaratën e tij.
Duke shtuar më pas se “Ruli duhet t'u thotë shqiptarëve arsyen e vërtetë pse jo vetëm që çmimi i ish-Ekspozitës është tre herë më ulët nga ai i zonave përreth, por çuditërisht në dukje dhe aspak çuditërisht për ne që e njohim imtësisht këtë vepër korrupsioni”, përfundoi ai.
n.e/NOA