Sofje, 10 shtator, NOA – Shërbimi Informativ Bullgar e ka cilësuar Maqedoninë si një vend me rrezik të lartë të çështjes së sigurisë.
Cvetlin Jovçev, drejtori i Agjencisë së Sigurimit Shtetëror (ADB) të Bullgarisë, tha se Maqedonia është vend me rrezik të lartë të sigurisë dhe se sipas tij, paqja në këtë vend akoma është e brishtë.
Ai këtë e deklaroi në një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Sofje me temën “Siguria në Evropën Juglindore”.
Sipas tij, paqja është e brishtë edhe në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Sanxhak dhe Vojvodinë.
“Ka shumë shembuj nga e kaluara e afërt, si konfliktet në ish-Jugosllavi, të cilët shkaktuan tensione të forta në Bosnjë, Kosovë, Serbinë e Jugut, Sanxhak, Vojvodinë dhe Maqedoni. Kjo tregon se Ballkani akoma është në rajon me rrezik të lartë të sigurisë”, ka deklaruar Jovçev.
Duke folur për Maqedoninë, ai ka theksuar se brishtësia e sigurisë së këtij vendi vjen nga rreziku i tensioneve etnike dhe fetare, për shkak të përbërjes multietnike dhe multikonfesionale.
Nga ana tjetër, drejtori i ADB-së, Cvetlin Jovçev, nënvizoi se Bullgaria përdallim nga vendet e tjera është stabile, pa kërcënime terroriste apo kërcënime të natyrave tjera.
NOA-INA