English

Vendimi i MASH: Universitetet në të gjithë vendin do të hapen më 11 tetor

Tiranë, 10 Shtator 2010 NOA – Universitetet në të gjithë vendin sivjet do të hapen më datë 11 tetor 2010, ka vendosur sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Burime zyrtare të ministrisë, duke konfirmuar se “të gjithë studentët e pedagogët informohen se viti i ri akademik nis më 11 tetor 2010”, i thanë agjencisë NOA se udhëzimi për pranimin e studentëve të rinj në institucionet e Arsimit të Lartë Publik është bërë i ditur që sot për të gjitha universitetet publike dhe për të gjithë të interesuarit është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Aktualisht në Shqipëri ka 11 universitete publike dhe 36 private por numri i këtyre të fundit po rritet me shpejtësi.

Bëhet e ditur se në të gjitha shkollat e larta vazhdojnë përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik dhe fondi i pagave është i garantuar.

Kurse universitetet po zhvillojnë konkurset për punësimin e pedagogëve të rinj. Ndërkohë është hapur procesi i tenderimit për laboratorët kërkimorë dhe didaktikë.

Këtë vit akademik në Arsimin e Lartë Publik do të vazhdojnë studimet e larta në ciklin e parë 11 % më shumë studentë se një vit më parë.

MASH thekson se Arsimi i Lartë publik mbetet në qendër të vëmendjes së Qeverisë.

“Në këtë kontekst, reforma e re e financimit të arsimit të lartë, e shpallur për diskutim publik javën e kaluar, synon, rritjen e autonomisë së universiteteve publike, të kapaciteteve të tyre thithëse për studentët në të gjitha nivelet e studimeve dhe nxit partneritetin publik - privat në arsimin e lartë, në mënyrë që të mobilizohet maksimumi i burimeve njerëzore dhe financiare të vendit për zhvillimin e arsimit të lartë. Kjo do të mundësojë plotësimin e dëshirave të të rinjve që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm, për të përfituar një shkollim universitar cilësor”, - deklaron Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

e.r/NOA

KOMENTE