English

Vrau para 12 vitesh një person, ekstradohet nga Londra i dënuari me 15 vite burg

Tiranë, 10 shtator, NOA – Plot 12 vjet më parë do të kryente një vrasje në mes të Shkodrës pas një grindjeje të çastit, ndaj një personi me emrin Qemal Kola, akt për të cilin do të dënohej me 15 vite burg nga drejtësia shqiptare.

Por Anglia dukej se ishte kthyer në strehën e tij për vite me radhë, duke bërë të pamundur vuajtjen e dënimit të tij, derisa dje më në fund është ekstraduar prej saj dhe u është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

Fjala është për 39-vjeçarin me emrin Ardian Rragami, i njohur ndryshe si Ardian Gashi, lindur në Shkodër, që siç raportohet për agjencinë e lajmeve NOA nga zyra e Interpolit, dje është ekstraduar në Shqipëri.

Kjo falë bashkëpunimit me zyrën e Interpolit të Londrës, pasi gjykata e Shkodrës, me vendimin nr.279, të datës 26.10.2000, e ka dënuar këtë person me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Bëhet me dije se në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Ardian Rragami u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

n.e/NOA

KOMENTE