Uashington, 11 shtator, NOA - Ambasadori Ferit Hoxha, përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, shpjegon prapaskenat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme ku u miratua rezoluta konsensuale për Kosovën.
Në një intervistë për “Top Channel”, ai tregon sesi “delegacioni shqiptar ishte në qendër të çdo lloj diskutimi që bëhej dhe se Serbia ka humbur jashtëzakonisht në imazhin e saj”.
Z. Hoxha, si e shikoni incidentin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me refuzimin e ministrit serb Jeremiç për të hyrë në sallë?
Qëndrimi refuzues për të qenë në një sallë i delegacioneve të Serbisë me delegacionet e Republikës së Kosovës nuk është një gjë e re. Ajo ka ndodhur edhe më parë në rrethana të tjera dhe në ambiente të tjera por situata e krijuar dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme është një ngjarje e rrallë në historinë e OKB-së. Ndërkohë që pritej prej muajsh që seanca e djeshme të zhvillohej, delegacioni i Serbisë, Ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç, me të parë praninë e delegacionit kosovar në sallë theksoi në mënyrë të prerë se ai nuk do të hynte në sallë për sa kohë përfaqësuesit kosovarë të ishin atje. Duhet theksuar që delegacioni kosovar ishte në mënyrë krejt të rregullt dhe krejt të ligjshme. Ai ishte pajisur me fletë-hyrjet e nevojshme nga sekretariati i OKB-së dhe prania e tyre atje ishte e përputhshme me rregullat e procedurës, e përputhshme me raste të mëparshme të pranisë te delegacioneve të vendeve jo anëtare në një vend të caktuar për të ftuarit e veçantë. E theksoj, delegacioni kosovar nuk kishte asnjë arsye që të lëvizte nga vendi. Problemi është që situata u bë dramatike, meqenëse të 132 vendet e OKB-së prisnin që të gjendej një zgjidhje, e cila zgjati rreth dy orë e gjysmë.
Z. Hoxha, sa humbi Serbia në imazh me këtë incident në kufijtë e skandalit diplomatik?
Në ato dy orë e gjysmë janë bërë me qindra telefonata, janë bërë dhjetëra takime, kanë qenë dhjetë vende që kanë qenë të involvuara në mënyrë të pandërprerë, mes tyre, Sh.B.A., Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe sigurisht delegacioni shqiptar që ishte në qendër të çdo lloj diskutimi që bëhej dhe në një farë mënyre apo një tjetër mbante kontaktet me delegacionin kosovar dhe u krijua një ndjenjë jashtëzakonisht e pakëndshme, një lodhje, pretekste apo gjëra dytësorë pengonin substancën, bëhej fjalë për një moment shumë të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare në lidhje me çështjen e Kosovës meqenëse seanca e djeshme ashtu siç ndodhi do të mbyllte një herë e përgjithmonë diskutimet për çështjen e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme sipas vizionit dhe optikës serbe. Unë kam përshtypjen që qëndrime të tilla të ngurta, refuzimi i Ministrit të Jashtëm për të hyrë në sallë sepse në sallë ndodhen të ftuar persona që mund të mos jenë në zgjedhjen e tij ka qenë një spektakël shumë i shëmtuar dhe mund të them se zgjidhja që u gjet më në fund pasi u zhvilluan siç thashë tratativa nga më të ndryshmet duke u konsultuar me juristë, duke u konsultuar me rregullat e procedurës, duke konsultuar historikun e pranisë së delegacioneve të tjera të kësaj natyre në seanca, për më tepër që në këtë seancë pala kosovare konsiderohej dhe ky ka qenë një nga argumentet që kemi përdorur ne, palë e përfshirë në çështje pasi diskutohej për Kosovën. Duke patur parasysh të gjitha këto, Serbia ka humbur jashtëzakonisht në imazhin e saj. Nëse ju kujtohet, prania e delegacionit kosovar në momentin që ishte në tribunë Kryeministri i Shqipërisë shkaktoi të njëjtën zhurmë megjithëse jo publikisht por në sfond.
Në fakt, si del Kosova pas miratimit të rezolutës të kompromisit?
Unë kam përshtypjen se nga çdo lloj pikëpamje, rezoluta e djeshme është një tekst, i cili nuk është një tekst i Serbisë, është një tekst që Serbia nuk e ka zgjedhur. Serbia ka bërë një fushatë të ethshme diplomatike për një tekst i cili nuk ka asgjë të përbashkët me atë që u miratua dje. Teksti i Rezolutës të miratuar dje është një tekst që i është imponuar Serbisë në rrethanat kur kishte një konsensus të BE-së për të mbyllur çështjen e Kosovës, për të mbyllur çështjen e diskutimeve për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme dhe për ta ezauruar atë në Bruksel.
Unë kam përshtypjen se pala kosovare del ballëlartë, del nëse do ta thoja shumë thjesht e fituar sepse nuk u miratua një tekst I cili bënte fjalë për shkëputje të njëanshme, nuk u miratua një tekst që bënte fjalë për bisedime për statusin duke e lënë çështjen e pavarësisë një opsion të hapur për bisedime, nuk u miratua një tekst që e linte çështjen e Kosovës në axhendën e punimeve të seancave të ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme dhe prej kësaj pala kosovare duhet të ndihet shumë rehat për faktin që një dokument i tillë i rëndësishëm i miratuar me konsensusin e të gjithë vendeve anëtare të OKB-së të hiqet përfundimisht nga axhenda e Asamblesë së Përgjithshme dhe e fokuson në bisedimet për çështjet praktike pikërisht për atë të cilën pala kosovare ka qenë gjithmonë e gatshme dhe të cilën Qeveria Shqiptare e ke theksuar gjithmonë se është e gatshme të mbështesë dhe të inkurajojë çdo proces për bisedime për çështje praktike që janë jetike për qytetarët e Kosovës por dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa do të ndikojë kjo rezolutë në njohjet e reja për Kosovën?
Thelbi i tekstit të paraqitur më parë nga Serbia kishte pikërisht këtë synim, ta mbante çështjen e Kosovës të hapur në një ambient jashtëzakonisht të gjerë dhe të komplikuar siç është sistemi i OKB-së dhe natyrisht që të ndikonte në procesin e njohjeve. Është e qartë së vendimi i qartë dhe i drejtpërdrejtë nga ana e GJND-së mbi kompatibilitetin e shpalljes se pavarësisë me ligjin ndërkombëtar është një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe sepse ka hequr përfundimisht të gjithë arsyetimin ligjor në lidhje me Pavarësinë e Kosovës, kësisoj një numër i madh vendesh anëtare të OKB-së të inkurajuara nga përmbajtja e opinionit të gjykatës dhe të inkurajuara nga fakti që çështja e Kosovës nuk është më një çështje debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së por është një çështje evropiane dhe është lënë në dorë të evropianëve për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve praktike. Janë dy elementë të rëndësishëm që japin mundësi së pari Qeverisë së Kosovës dhe miqve të tyre që të ndikojnë te ato vende të cilat kanë pasur hezitime apo të cilat kanë dashur një kohë më të madhe për të marrë vendime për njohjen e Kosovës. Unë jam i bindur se numri i njohjeve do të shkojë duke u rritur shumë shpejt.
Dhe një pyetje të fundit, kur mund të shpresojmë të kemi Kosovën anëtare me të drejta të plota të OKB-së?
Pranimi në OKB është përcaktuar në kartën e OKB-së, është i përcaktuar në procedurë dhe kam përshtypjen që ky moment nuk ka ardhur akoma sepse duhet një rekomandim i Këshillit të Sigurimit dhe mbi bazën e rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, Asambleja e Përgjithshme të OKB-së vazhdon me 2/3. Pra, duhet të kemi të qartë se janë disa faktorë që do të ndikojnë që Kosova të bëhet në një të ardhme që shpresojmë nuk do të jetë shumë e largët, anëtare e OKB-së.
Së pari, duhet rritur numri i njohjeve, duhet kapërcyer së paku gjysma e vendeve anëtare të OKB-së. gjë që nuk është akoma realitet.
Së dyti, imazhi i konsolidimit të shtetit të Kosovës që shkon në paralel me njohjet dhe aftësia e Kosovës për të qartësuar sa më mirë pozicionin e saj edhe në ato rajone gjeografike të largëta të cilat ndoshta nuk asnjë interes, asnjë informacion mbi zhvillimet në Kosovë. Kësisoj, këto faktorë përfshirë dhe evoluimin e dinamikave në Këshillin e Sigurimit, por që gjithsesi janë të lidhura me njohjet do të çojnë logjikshëm në mbylljen totale të kësaj dosje dhe në ofrimin e mundësisë që Kosova të ketë vendin si gjithë vendet e tjera në OKB.
“Top Channel”