English

Bashkia e Tiranës: Gati programi për 400 apartamentet sociale në zonën e Shkozës

Tiranë, 11 shtator, NOA – Bashkia e Tiranës do të nisë tashmë Programin e Banesave Sociale, për të cilin institucioni ka përgatitur edhe dokumentacionin që duhet te plotësojnë të gjithë të interesuarit për të përfituar nga ky program.

Drejtoresha e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit social Ogerta Manastirlliu, sqaroi në një prononcim për mediat të gjithë proçedurën dhe hapat që qytetarët duhet të ndjekin për të përfituar nga ky program.

“Në këtë program bëhet fjalë për ndërtimin e rreth 400 apartamenteve në zonën e Shkozës në Tiranë, të cilat priten të përfundojnë së afërmi. Ky projekt po realizohet nëpërmjet kredisë së përfituar nga Banka e Këshillit të Europës, duke e bërë dhe të parin në llojin e tij sa i përket përmasave, që Bashkia e Tiranës po zbaton në fushën e strehimit social”, u shpreh zonja Manastirlliu.

Sipas saj, Bashka e Tiranës është në fazën e grumbullimit të dokumentacionit dhe menjëherë pas depozitimit dhe verifikimit të tij, do të hartohet dhe miratohet lista e përfituesve për këtë program.

Bashkia bën të ditur se kategoritë përfituese përcaktohen nga ligji, por mësohet se Bashkia e Tiranës do të ketë në vëmendjen e saj dhe do të pikëzojë maksimalisht familjet me shumë fëmijë, nënat kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, çiftet e reja në moshë totale 55 vjeç, familjet që jetojnë në kushte të vështira higjeno - sanitare etj.

Bashkia njofton të gjithë personat që i përkasin kësaj shtrese që t’i drejtohen Zyrave të Informimit Qytetar dhe Qendrës operatore 08000888, ku mund të gjejnë të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me këtë program.

Programi i banesave sociale mbetet një prioritetet i punës së Bashkisë së Tiranës dhe ky program, vjen paralel me të gjithë projektet që Bashkia po planifikon të zhvillojë në të ardhmen, për të përmbushur të gjitha nevojat e qytetit.

mit/NOA
KOMENTE