Shkup, 11 shtator, NOA - Partia shqiptare në pushtet në Maqedoni, BDI, planifikon që së shpejti të bëjë ndryshime në nivel të zëvendës/ministrave, drejtorëve dhe funksionarëve të tjerë.
Kjo bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve INA, nga zyrtarë të lartë të kësaj partie, të cilët kanë konfirmuar se ndryshimet do të ndodhin brenda javëve të ardhshme, me qëllim të efikasitetit më të lartë nëpër institucionet qeveritare të funksionarëve shqiptarë.
“Planifikohen ndryshimet e atyre kuadrove ku nuk janë regjistruar apo realizuar përparime në aspektin e përfaqësimit të shqiptarëve, reformimit dhe nuk janë shënuar rezultate”, ka theksuar një zyrtar i lartë i BDI-së.
Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit, Nikolla Gruevski dje ka bërë ndryshimin e disa funksionarëve të lartë shtetëror në nivel të drejtorëve të disa drejtorive qeveritare.
Qeveria në mbledhjen e fundit ka shkarkuar drejtorin e Agjencisë për konfiskim, drejtorisë për Ilaçet, Inspektoratit të Pushtetit Lokal, Drejtorisë për çështje pronësore-juridike etj.
Ndryshimet në nivel të drejtorive ka pasuar pas një takimi dhe marrëveshje midis dy partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
NOA-INA