Tiranë, 11 shtator, NOA/ Milena Selimi - Liria e artistit Valeri Dyrzi Tarasov ka bashkuar dje në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, jo vetëm miq, dashamirës të artit, por edhe politikanë të majtë dhe të djathtë.
Në përurimin e ekspozitës “Pass-Port”; “Habitat-Dis-Habitat” kanë qenë të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha në fjalën e saj se “artisti Tarasov na fal besim dhe një botë pakufij. Idetë dhe emocionet e këtij piktori na sjellin pranë një përmasë të dhimbjes njerëzore të përbotshme si në “Pass-Port”. Dritë-hije të guximshme ndriçojnë portrete duke hyrë thellë në veçoritë e problemeve ballkanike dhe evropiane” .
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozitë ishte edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ish-mik i hershëm i artistit Valeri Dyrzi Tarasov, i ftuar nga vetë artisti.
Miq të vjetër të artistit, njerëz të artit si piktorët Hasan Nallbani, Ali Oseku, Lumturi Blloshmi, vlerësuan konceptin dhe idetë e tij të guximshme për një botë që nuk duhet të ketë barriera.
“Jam i emocionuar dhe ndihem shumë mirë mes miqsh të rinj dhe të vjetër, njerëzve të mi të afërt dhe institucioneve që bënë të mundur këtë ekspozitë. Falenderoj të gjithë stafin që punoi për realizimin e saj”- u shpreh përpara hapjes së ekspozitës, Tarasov.
“Ai niset nga shkretëtira për të na çuar në një vend TJETËR, të NDRYSHËM, duke gjurmuar territore të reja, si ndodh me ciklin “Habitat-Dis-Habitat”.
Ai krijon hapësira imagjinare për individin, kudo ku ndodhet ai, duke e strehuar dhe mbrojtur në të gjitha gjendjet shpirtërore, e mocionale, psikike dhe si një mjeshtër i pikturës e mbështjellë këtë individ me dashuri, forcë, besim”, - do ta komentonte kryetarja Jozefina Topalli.
Artisti Tarasov kthehet pas 20 vjetësh në Tiranë, në ekspozitën e parë shqiptare në GKA, pas një karriere të gjatë artistike në shtetin fqinj, Itali.
Ai është shembulli i vërtetë i qytetarit të botës, që falë koncepteve dhe ideve vizionare ka guximin të grejë zërin, me ndërgjegje qytetare dhe civile për padrejtësitë që u bëhen popujve të vegjël, grupeve, entiteteve kudo në botë.
“Jetojmë në një botë ku kufijtë e vendosur ende ndajnë shtete, popuj, etni dhe grupe shoqërore, ku integrimi në familjen e madhe evropiane është një hap më shumë drejt lirisë dhe komunikimit. Valeri Dyrzi Tarasov na rrëfen se ARTI mbetet bota e vetme pa barriera ndaluese. Jeta e tij është dëshmia e gjallë e NJERIUT që i mbijetoi FERRIT dhe ARTISTIT të magjishëm që krijon një botë pakufij”-do ta përfundonte fjalën e saj, Topalli.
Ekspozita “Pass-Port”; “Habitat-Dis-Habitat” do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 10-30 shtator 2010.
m.s/n.e/NOA