Nju Jork, 11 shtator, NOA – Pastori i kishës së vogël në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë fund deklaratave të tij për djegien e Kuranit të shenjtë, pikërisht në përvjetorin e nëntë të shpërthimit të Kullave binjake, ku gjetën vdekjen 3000 vetë, duke siguruar se ''Nuk do ta djegim Kuranin, as sot as kurrë”.
Këtë deklaratë pastori e bëri në një intervistë për rrjetin televiziv NBC, ku ka hedhur poshtë edhe hamendësimet për një takim të mundshëm të programuar mes tij dhe imamit të Nju Jorkut, Faisal Rauf, pikërisht në xhaminë që pretendohet të ngrihet mbi Ground Zero.
Pastori Terry Jones tha ndërkaq se nuk do të djegë asnjë Kuran në qytetin e tij Gainesville, në nderim të viktimave që shkaktoi në Ground Zero, terroristi Osama Bin Laden, sikundër kishte deklaruar më parë, se do të digjte plot 200 libra të shenjtë të Islamit.
Në vend të urrejtjes, do të bëj thirrje për paqe, lutje dhe tolerancë fetare pikërisht pranë vendit ku vdiqën 3000 amerikanët, nëntë vjet më parë dhe se në vend të djegies së Kuranit të shenjt, do të ndëzim qirinj për të kujtuar të gjitha viktimat e 11 shtatorit.
Në këtë qytet të humbur në veri të Floridas, ky 11 shtator duket që do të ketë një shije të veçantë dashurie dhe solidariteti, ku të gjithë bashkë, katolikë, hebrenj, protestantë, hindu dhe muslimanë do të luten në Kishën Metodiste të Trinisë së shenjtë.
mit/NOA