Nju Jork, 11 shtator 2010 - Familjarë e të afërm të viktimave nëntë vjet pas tragjedisë, u mblodhën në një ceremoni prekëse në Nju-Jork, në vendin ku dikur ishin Kullat Binjake.
Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, ishte i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Nju Jork, ku mes të tjerash si çdo vit u lexuan emrat e viktimave, ranë kambanat dhe në orën e saktë të sulmeve u mbajt dhe një minutë heshtje. Zonjat e Para, Mishel Obama dhe Laura Bush, janë në Shanksvil ku u rrëzua aeroplani i katërt i rrëmbyer nga terroristët. Presidenti Barak Obama ka ndjekur përkujtimin e zhvilluar në Pentagon, që ishte një nga caqet e sulmeve terroriste të Al Kaidës nëntë vjet më parë. “Kanë kaluar nëntë vjet. Në këtë periudhë kemi derdhur me shumë lot se asnjëherë tjetër. Megjithëse duket se bota tashmë ka lëvizur duke e tejkaluar tragjedinë, ju them sot se më të dashurit tuaj kanë mbetur tashmë në zemrën e këtij kombi përgjithmonë”, ka thënë Obama. Këtë vit përkujtimi të viktimave të 11 Shtatorit i ka paraprirë debati pas planeve të shpallura nga një pastor në Florida për djegien e qindra kopjeve të Kuranit dhe kundërthëniet për ngritjen e një qendre kulturore islamike, në afërsi të nivelit zero në Nju-Jork. Presidenti Obama ka marrë qëndrim të përcaktuar qartë për të dyja debatet. “Ideja se ne do ta djegim librin e shenjtë të një besimi tjetër, është në kundërshtim me vlerat, të cilat mbron ky vend”, ka theksuar Obama. Presidenti amerikan ka mbështetur pa mëdyshje dhe planet për ndërtimin e një qendre kulturore islamike, e cila përfshin dhe xhaminë, pranë vendit ku ndodhën sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Nju-Jork. Në ceremoninë në Pentagon, Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me fenë islame. “Ata ndoshta duan të krijojnë konflikt mes besimeve të ndryshme fetare, por si amerikanë ne nuk jemi dhe kurrë nuk do të jemi në luftë me islamin. Nuk ishte një fe ajo që na sulmoi atë ditë shtatori. Ishte Al Kaida, një grup njerëzish që fyejnë religjionin”. “Ashtu siç e dënojmë mungesën e tolerancës dhe ekstremizmin jashtë, në të njëjtën mënyrë i mbetemi besnikë traditave tona këtu, si një komb tolerant dhe me shumëllojshmëri besimesh e racash”, ka nënvizuar Obama. Përvjetori i nëntë është paraprirë dhe nga publikimi i një raporti të përgatitur nga ish-drejtuesit e Komisionit Hetimor për ngjarjet e 11 Shtatorit, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara përballen me rrezikun në rritje nga militantët brenda vendit. Në raport ata quhen edhe si “amerikanizimi” i udhëheqjes së Al Kaidës. Këta militantë janë të lindur apo të rritur në SHBA. Pavarësisht debateve dhe tensioneve, të afërmit e viktimave në heshtje e dhimbje kanë kujtuar më të dashurit e tyre që humbën jetën nga sulmet terroriste. Radio Evropa e Lirë citon Xhon Kartier i cili ka humbur vëllanë 26-vjeçar, i cili punonte si elektricist në një nga Kullat Binjake në Nju-Jork. “Jam i mbijetuar i sulmeve. Po qëndroj këtu në vendin ku u shkatërrua Kulla Jugore, duke shtrënguar dorën e sime motre. Në kohën kur unë dhe motra vraponim që të shpëtonim vëllai ynë humbte jetën. Jam kthyer këtu dhe kam ndenjur për shtatë muaj e gjysmë në përpjekje për të gjetur vëllanë”, ka rrëfyer Kartier.