English

PS: Djegia e fletëve të votimit, djeg negociatat me opozitën

Tiranë, 11 shtator, NOA – Selia rozë duke përshëndetur deklaratën e Ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, i cili kundërshtoi thirrjet për djegien e fletëve të votimit, deklaroi sot se djegia e fletëve të votimit hedh në erë edhe negociatat mes opozitës dhe mazhorancës sa i përket hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Nënkryetarja e Grupit Kuvendor Socialist, Vasilika Hysi deklaroi në një konferencë për shtyp se “Në këtë kontekst, PS deklaroi se “çdo hap drejt realizimit të djegies së fletëve të votimit, çdo tentativë për të vënë në jetë këtë kërcënim do të shënonte fundin e komunikimit dhe mundësisë së negocimit me opozitën shqiptare, përfshirë këtu edhe negociatat për reformën zgjedhore ose çdo reformë tjetër për të cilën nevojiten votat e opozitës”.

“Kryeministri Berisha ka përpara dy zgjedhje, të bashkëpunojë e të tregojë vullnetin politik, që i kërkojnë sot të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për arritjen e transparencës së zgjedhjeve si parakusht për rikthimin e normalitetit në jetën politike në vend; ose Sali Berisha mund t’i futet aventurës së djegies së fletëve të votimit; një aventurë, i humburi i madh i së cilës do të jetë vetë kryeministri”, shtoi zonja Hysi.

Sipas saj, transparenca e zgjedhjeve bëhet vetëm përmes hetimit të procesit zgjedhor dhe këqyrjes të materialeve të votimit të 28 qershorit 2009, një kusht i panegociueshëm për rivendosjen e dialogut politik në vend dhe bashkëpunimit pozitë – opozitë në funksion të reformave që nevojiten për integrimin e vendit dhe kapërcimin e krizës së rëndë e të gjithanshme që ka mbërthyer sot Shqipërinë.

Në këtë kontekst, deputetja Hysi tha se Partia Socialiste ka ofruar kompromisin e saj dhe vetëm mungesa e vullnetit politik të kryeministrit Berisha, po mban peng zgjidhjen e krizës.

Zonja Hysi bëri me dije se “Partia Socialiste mbështet paralajmërimin e zotit Bosch se djegia e fletëve të votimit do të ishte një veprim jo i mençur nga pikëpamja politike, dhe për më tepër jo korrekt nga ana juridike, sepse sikurse parashikon ligji shqiptar, prerogativa e drejtësisë për t’i pasur fletët e votimit në dispozicion për çdo hetim të mundshëm tejkalon çdo argument absurd për nevojën e boshatisjes së kutive të votimit”.

Sipas deputetes socialiste, ambasadori Bosch theksoi atë që PS ka ripërsëritur se djegia e fletëve të votimit e bën hetimin të pamundur.

“Partia Socialiste i bën thirrje kryeministrit Berisha që t’ia vërë veshin mirë paralajmërimeve në lidhje me pasojat që do të kishte djegia e fletëve të votimit dhe përpjekjet për të penguar hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, që vijnë edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë”, nënvizoi deputetja Vasilika Hysi.

Ajo i cilësoi kërcënimet e kryeministrit dhe kryetarit të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit, si një provokim të papranueshëm për Partinë Socialiste dhe opozitën shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE