English

PS: Ministri Ruli fsheh të vërtetën për truallin publik të ekspozitës dhe çmimin e saj

Tiranë, 11 shtator, NOA – Partia Socialiste ka kërkuar rishtas sot nga ish ministri i Ekonomisë, aktualisht ministër i Bujqësisë, Genc Ruli se ç’farë po ndodh me truallin e ekspozitës që thuhet se u është kthyer pronarëve të ligjshëm, ndërsa në hipotekë, është e regjistruar si truall publik.

Nënkryetari i Grupit Kuvendor Socialist, Eduart Shalsi në një konferencë për mediat nga trualli i ish ekspozitës “Shqipëria Sot” deklaroi se “Ajo që ne pyesim sot sërish ministrin e bujqësisë, ish-ministrin e ekonomisë, se çfarë ka ndodhur me 2900 m2 truall publik, pasuri publike, e mirë e të gjithë shqiptarëve? E ritheksoj, në sfond shikoni ish-ekspozitën “ Shqipëria Sot”, e cila në sipërfaqen prej 2900 m2 sipas konfirmimit të hipotekës figuron e regjistruar si truall publik”.

Deputeti Shalsi nënvizoi sakaq se pas dyshimeve të ngritura nga PS për aferën korruptive me truallin e ish ekspozitës, ministri Genc Ruli, është prononcuar shpesh për këtë privatizim, pa iu përgjigjur pyetjeve të ngritura nga Partia Socialiste, ndërsa theksoi se një ditë më parë u pretendua se kjo sipërfaqe trualli i është dhënë me çmim zero pronarëve.

Duke u mbështetur në deklaratat kontradiktore të ministrit Ruli, deputeti Shalsi i drejtoi rishtas ministrit pyetjen “sesi është e mundur që çmimi i këtij trualli ka mbetur i pandryshuar 426 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që vetëm pas ekspozitës me vendim të qeverisë është rritur tre herë; apo në krah të ekspozitës po me çmim të qeverisë është rritur po tre herë, nga ana tjetër e Lanës është rritur po tre herë?”

Duke theksuar se ministri Ruli ka fshehur, apo edhe ka gënjyer me deklaratat e tij, nënkryetari i Grupit Kuvendor socialist, Eduart Shalsi kërkoi të mësojë “çfarë ka ndodhur me këtë truall publik dhe se pse brenda një kohe të shkurtër Këshilli Ministrave kryesuar nga Sali Berisha ka marrë disa vendime, duke rritur në gjithë sipërfaqen përreth çmimin me tre herë dhe duke lënë të pandryshuar atë në truallin e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”.

Partia Socialiste, bëri me dije se nesër do të nxjerrë në media një dokument mbi truallin shtetëror dhe çmimin e saj, të cilën ministri Genc Ruli deri më sot e ka mbajtur të fshehur ose ka gënjyer shqiptarët.

mit/NOA
KOMENTE