English

PS: Sali Baba me 40 hajdutët të japin llogari për hajdutërinë dhe kapjen e shtetit

Tiranë, 11 shtator, NOA – Pas deklaratës së deputetit demokrat Luçiano Boçi, i cili akuzoi se kryebashkiaku Edi Rama është kapur mat në kontratën e projektit të 35 katësheve te diga e Liqenit Artificial, pasi sekseri i tij ka emër dhe mbiemër për marrjen e 20 përqindëshit në këmbim të lejes, ka reaguar edhe nënkryetari i Grupit kuvendor Socialist, Taulant Balla, i cili i kërkoi pushtetit të japë llogari për kapjen e shtetit.

“Sali Berisha dhe të dyzet hajdutët e tij duhet të përgjigjen për provat e faktet që ne po ekspozojmë çdo ditë, për vjedhjet e lumenjve, tokave, pyjeve, kullotave, parave publike, të të drejtave ligjore të njerëzve”, deklaroi nga selia rozë, deputeti Balla.

Sipas tij, sot Shqipëria kërkon llogari për hajdutërinë dhe babëzinë qeveritare, që ka plasur nga të katër anët, hajdutëri që sipas deputetit opozitar e ka burimin tek vjedhja e madhe e 28 qershorit.

Duke iu kthyer akuzave të deputetit Boçi, zoti Balla tha se “një tjetër lepur, ky me emrin Luçiano, doli sot nga oborri i Sali Babës për të përsëritur shpifjet bajate. Të gjithë këta lepuj që e kanë lënë burrërinë, dinjitetin dhe fytyrën peng tek Sali Baba, kanë kallëzime e padi në prokurori dhe gjykatë, pikërisht për këtë avaz bajat të gjoja lejeve të ndërtimit”.

Sipas Ballës, "lepujt e Berishës po të kenë prova le të shkojnë në prokurori".

Duke vijuar në këtë gjuhë mbi simbolikën e kundërakuzave me lepuj, deputeti Balla shtoi se “Lepujt që grijnë sallatën e përditshme të Sali Babës nuk e mbulojnë dot me shpifjet e tyre batakun e madh të korrupsionit ku notojnë Sali Baba me dyzet hajdutët e tij”.

mit/NOA
KOMENTE