English

Aksioni në Gjirokastër, bllokohen 56 makina, 8 policëve u merren mjetet pa targa

Gjirokastër, 12 shtator, NOA – Një aksion i Policisë Rrugore në Gjirokastër ka bërë që vetëm brenda 12 ditëve të bllokohen 56 makina për mungesë dokumentacioni, të hiqen 10 patenta dhe të vendosen 750 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Por në aksionin e fundit të Policisë së Gjirokastrës, i cili është shtrirë dhe në rrethet Sarandë, Përmet, Tepelenë e Delvinë, efektivat e policisë rrugore këtë herë nuk kanë kursyer dhe kolegët e tyre, duke bllokuar 8 makina të efektivave blu, raporton korrespodenti i Agjencisë NOA.

Makinat që u janë bllokuar policëve kanë qenë private dhe ato nuk dispononin asnjë dokument tjetër, përveç dokumentin blerës nga origjina.

Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se në total janë bllokuar 56 automjete, nga këto 46 autovetura, 4 betoniere dhe 6 makina transporti inertesh. Njëkohësisht janë bllokuar 8 motoçikleta. Janë hequr 10 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe përdorim të pijeve alkoolike. Ndërsa 735 gjobat arrijnë një vlerë prej 700.500 lekë të reja.

Operacioni “Siguria e Jetës” është shtrirë në gjithë territorin duke pasur si qëllim uljen e numrit të aksidenteve.

Nga ana tjetër, kontrollet janë bërë dhe në automjetet e institucioneve shtetërore. Korrespodenti i Agjencisë NOA citon burime të Policisë së Gjirokastrës, të cilat thonë se u janë hequr perdet 5 automjeteve të institucioneve shtetërore.

Automjete e bllokuara janë transportuar me karroatrec nga Policia Rrugore në pikat e bllokimit në Dragot të rrethit Tepelenë, si dhe në pikat e bllokimit pranë komisariateve Sarandë dhe Delvinë, kryesisht për mungesë dokumentacioni, parkime të gabuara me përsëritje, shpejtësi tej normave të lejuar dhe përdorim të pijeve alkoolike, etj.

a.k/NOA

KOMENTE